Lidhje

Tre të vrarë me armë në shtetin Kolorado


Njerëzit në shtetin perëndimor të Kolorados po mbajnë zi për vrasjen e tre personave nga një sulmues i armatosur tek një godinë e kujdesit shëndetësor të grupit “Planifikimi Familjar”. Ndër viktimat janë dy civilë, një punonjës policie dhe disa të tjerë të plagosur.

Policia thotë se pas pesë orësh u dorëzua 57-vjeçari Robert Lewis Dear pasi policia vendosi komunikimin me të.

Autoritetet thonë se ai kishte me vete një çantë me disa lloje objektesh që shtonin frikën për rreziqe të tjera.

“Do jetë një skenë shumë e komplikuar, për të cilën do të duhen orë dhe ditë të tëra për ta ekzaminuar,” tha zëdhënësja e policisë në Colorado, kapitene Catherine Buckley.

Sulmi i mori jetën policit 44-vjeçar të Universitetit Colorado Springs, Garret Swasey, i cili reagoi për të ndihmuar policinë lokale. Krahas dy civilëve të tjerë që humbën jetën, ishin edhe nëntë persona të plagosur. Një nga të plagosurit, Ozy Licano, tregon.

“U ktheva në makinë, e ndeza dhe doja të lëvizja mbrapsht. Ai më kishte vënë në shënjestër dhe ndërsa unë i dhashë gaz makinës, filloi të qëllonte. E pashë në fytyrë për rreth 5 ose 10 sekonda. Pastaj filloi të më rridhte gjak.”

Organizata “Planifikimi Familjar”, e cila njihet se kryen aborte, njoftoi se i gjithë stafi i saj dhe pacientët janë të sigurtë. Sidoqoftë, nuk janë identifikuar dot ende të gjitha viktimat.

Agjensitë federale po bashkëpunojnë me autoritetet vendase, ndërkohë që nuk është përcaktuar ende motivi për sulmuesin.

XS
SM
MD
LG