Lidhje

Trump: Përparim madhor në bisedimet me Presidentin Xi


Presidenti Donald Trump tha se ka shënuar “përparim madhor” me Presidentin e Kinës Xi Jinping në bisedimet e tyre në kompleksin Mar-a-Lago në Florida.

Presidenti Trump bëri komente për gazetarët pas takimit me zotin Xi, ku e përshkroi udhëheqësin kinez dhe përfaqësuesit e tij si “tepër interesantë” në bisedime dhe shprehu shpresën se të dyja palët do të vazhdojnë të shënojnë përparim për zgjidhjen e çështjeve mes dy vendeve.

“Mendoj se marrëdhënia që kemi zhvilluar unë dhe Presidenti Xi është e shkëlqyer. Mirëpresim takime të tjera në të ardhmen dhe besoj se shumë nga problemet shqetësuese do të sheshohen,” tha zoti Trump.

Sipas zyrtarëve, presidentët Trump dhe Xi do të vazhdojnë diskutimet mbi kërcënimin bërthamor nga Korea e Veriut, shkëmbimet tregtare dhe tema të tjera.

Gjatë takimit, zoti Xi bëri një koment në gjuhën kineze, në dialektin mandarin, por nuk kishte në atë moment ndonjë përkthyes aty pranë. Presidenti Trump me shaka, iu përgjigj: “Jam 100% dakord, zoti president, shumë faleminderit”.

Dje, Presidenti Trump dhe anëtarë të administratës së tij e bënë të qartë se shpresojnë t’i kërkojnë Pekinit të bëjë më shumë për t’i ushtruar presion Phenianit për programin bërthamor koreano-verior.

Në komentet për gazetarët që udhëtonin me të në avionin presidencial, zoti Trump tha se deficiti tregtar prej afro 310 miliardë dollarësh me Kinën është një ndër temat parësore në takim. Presidentit Trump i është bërë thirrje të trajtojë gjithashtu shkeljen e të drejtave të njeriut në Kinë.

Zoti Xi mbërriti në Florida dje pasdite. Presidenti Trump i bëri një pritje të ngrohtë homologut kinez, pavarësisht premtimeve të tij të mëparshme për t’u ballafaquar me Kinën për tregtinë dhe çështje financiare.

Kur mbërriti në Mar-a-Lago, Presidenti kinez u prit nga njerëz me banderola, por në rrugët pranë kompleksit ishin rreshtuar edhe protestues që kritikonin gjendjen e të drejtave të njeriut në Kinë. Protestuesit për çështje të ndryshme të Kinës ishin përgatitur mirë.

“Mbërritëm dy ditë më parë. E njohim vendin dhe do të jetë e vështirë me gjithë bllokimet e rrugëve. Por ne duam t’ia bëjmë të qartë shkeljet stafit të Presidentit kinez dhe të bëjmë thirrje për drejtësi”, thotë protestuesi Xianhua Ning.

Ligjvënësi nga Nju Xhersi, Chris Smith, i tha shërbimit në gjuhën kineze të Zërit të Amerikës se Presidenti Trump duhet ta ngrejë çështjen e të drejtave të njeriut me zotin Xi:

“Dimë se do të bisedohet rreth Koresë së Veriut dhe kjo është gjëja e duhur. Korea e Veriut kërcënon ekzistencën e Koresë së Jugut dhe vendeve të tjera në rajon. Por, Presidenti Trump duhet të ngrejë me forcë abuzimin me të drejtat e njeriut, siç nuk u veprua nga administrata Obama. Xi Jinping fatkeqësisht po konkuron me Korenë e Veriut në ushtrimin e torturës ndaj shtetasve të tij, në detyrimin e grave të abortojnë, si dhe në një sërë abuzimesh të tjera që janë krime ndaj njerëzimit.”

Ligjvënësi Smith tha se SHBA-ja është një treg shumë i madh për mallrat kineze, dhe Presidenti Trump mund ta shtrëngojë Pekinin të tregojë progres për të drejtat e njeriut.

Analistët thonë se Presidenti kinez ka ardhur i përgatitur për bisedime të vështira.

“Komuniteti kinez i politikës së jashtme është mobilizuar për ta furnizuar atë me informacion për mënyrat, llojin e çështjeve që mund të ngrejë, se si të nxisë një përqasje bashkëpunuese me zotin Trump. Në veçanti mendoj se kinezët e kanë dërguar këtu zotin Xi me një paketë bujare dhuratash”, thotë Yun Sun, eksperte për Kinën në Qendrën “Stimson”.

Analistja i tha Zërit të Amerikës se Presidentit Trump i duhet financim për përmirësimet në infrastrukturë që u ka premtuar votuesve dhe se kinezët mund të ndihmojnë me investime.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG