Lidhje

Pres. Trump lë të hapur mundësinë e një vizite në Afganistan


Presidenti Donald Trump foli me pjesëtarë të ushtrisë amerikane dje për t’u uruar Festën e Falenderimeve dhe për t’u shprehur mirënjohje për shërbimin ndaj vendit. Por kur u pyet nëse do të vizitonte baza ushtarake jashtë Shteteve të Bashkuara, presidenti nuk dha një përgjigje të qartë. Dje presidenti u takua me pjesëtarë të Rojes Bregdetare pranë rezidencës së tij të pushimeve në Florida.

Tryeza e Ditës së Falenderimeve në Shtetet e Bashkuara tradicionalisht përfshin gjelin e detit si dhe plot pjata të dyta dhe në fund një kek me kungull si ëmbëlsirë. Në bazën Lake Worth pjesëtarët e Rojes Bregdetare festuan me panine të mbushura, fruta dhe pije freskuese. Presidenti u takua me trupat dhe bëri fotografi.

Më parë dje, ai u telefonoi trupave amerikane me shërbim jashtë vendit.

“Vendi po ecën mirë ekonomikisht, më mirë se kushdo tjetër në botë. Edhe për ju duhet të jetë i mirëpritur fakti që luftoni për një vend që po funksionon mirë, për atdheun tuaj”.

Tradicionalisht, presidentët amerikanë komunikojnë me ushtarë amerikanë që janë me shërbim jashtë vendit. Në disa raste ata i vizitojnë në bazat jashtë vendit, siç bëri Presidenti Bush në 2003 në një vizitë të panjoftuar në Irak në Ditën e Falenderimeve. Presidenti Obama është takuar disa herë me trupat në baza të ndryshme jashtë vendit. Presidenti Trump është kritikuar se nuk ka vizituar deri tani asnjë nga kontigjentet amerikanë jashtë vendit. Ai nuk dha përgjigje të qartë kur u pyet nëse kishte në plan të shkonte në Afganistan:

“Do të bëjmë gjëra interesante, në kohën e duhur”.

Një gazetar e pyeti nëse e dinte se kur mund të zhvillohej udhëtimi:

“E di, por nuk mund t’jua them,” u përgjigj presidenti.

Shtetet e Bashkuara dërguan trupa në Afganistan pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001 për të dëbuar Talibanin nga pushteti. Tani Talibani po zhvillon luftë kundër qeverisë afgane që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara. Një i dërguar i Uashingtonit ka hapur një dialog të drejtpërdrejtë me Talibanin:

“Jemi aktualisht në vazhdën e negociatave të forta në Afganistan. Shumë njerëz nuk e dinë këtë,” tha presidenti.

Por zoti Trump pohoi se bisedimet mund të mos japin rezultat:

“Nuk e di nëse do të jenë të suksesshme, ndoshta jo. Nuk i dihet. Ndoshta do të kenë sukses, ndoshta jo”.

Misioni ushtarak në Afganistan u ka kushtuar Shteteve të Bashkuara afro 1 trilion dollarë dhe humbjen e 2400 ushtarëve amerikanë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG