Lidhje

Trump akuzon Pakistanin për gënjeshtra dhe mashtrime


Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar përsëri Pakistanin se strehon terroristët kundër të cilëve po luftojnë forcat amerikane në Afganistanin fqinj.

Në mesazhin e parë që postoi gjatë vitit të ri 2018 në Twitter, Presidenti Trump shkruan “Shtetet e Bashkuara kanë bërë marrëzi që i kanë dhënë Pakistanit mbi 33 miliardë dollarë ndihma gjatë 15 viteve të fundit. Ata na e kanë kthyer me gënjeshtra dhe mashtrime, duke menduar se udhëheqësit tanë janë budallenj. Ata u ofrojnë strehë terroristëve që ndjekim ne në Afganistan. Jo më!”

Uashingtoni e ka akuzuar prej kohësh Islamabadin, në veçanti organet e sigurisë se mbyllin sytë ose ndihmojnë fshehtazi forcat talebane që veprojnë në Afganistan dhe Rrjetin Hakani për të kryer sulme kundër forcave afgane dhe atyre amerikane.

Nuk është e qartë nëse komenti në Twitter sinjalizon se Presidenti Trump ka në plan të ndërpresë ndihmat financiare për Pakistanin.

Në gusht Shtetet e Bashkuara ngritën idenë se do të pezullonin deri në 255 milionë ndihma ushtarake deri kur Pakistani të intensifikonte goditjen kundër terroristëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG