Lidhje

Presidenti Trump do të vizitojë Azinë


Sipas një njoftimi të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Donald Trump do të ndërmarrë gjatë muajit nëntor një udhëtim në Azi për të siguruar mbështetje globale kundër kërcënimit që vjen nga Korea e Veriut. Ai pritet të marrë pjesë gjithashtu në samite rajonale, si dhe të diskutojë për marrëveshje të ndryshme tregtie.

“Këto takime pritet të forcojnë vendosmërinë e ndërkombëtarëve për t’u përballur me kërcënimin e Koresë së Veriut dhe të garantojnë plotësisht, në mënyrë të vërtetueshme dhe të pakthyeshme çarmatimin bërthamor të gadishullit korean”, thuhet në njoftimin e Shtëpisë së Bardhë.

Ky udhëtim shënon vizitën e parë të Presidentit Trump në Kinë, aleati politik e partneri më i afërt në biznes i Koresë së Veriut.

Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, do t’i paraprijë udhëtimit të zotit Trump në Kinë, duke e vizituar vendin për herë të dytë javën e ardhshme. Tillerson do t’i kërkojë Pekinit mbështetje për kufizimin e kërcënimit bërthamor që përfaqëson Korea e Veriut.

Shtetet e Bashkuara po diskutojnë nga afër me zyrtarë kinezë që Pekini të pakësojë importin nga Korea e Veriut të qymyrgurit, hekurit, frutave të detit etj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG