Lidhje

Ditë më e qetë për fushatën e Donald Trump


Situata dukej e qetë sot për fushatën e kandidatit për president Donald Trump, pas dy ditësh rrëmuje në aktivitetet e tij dhe një tubimi të anulluar në Çikago. Një tjetër incident u shmang dje, kur Shërbimi Sekret arriti të ndalojë një burrë që kapërceu kordonin e sigurisë dhe u drejtua me shpejtësi drejt podiumit nga ku po fliste zoti Trump.

Donald Trump fajësoi kandidatin demokrat Bernie Sanders dhe mbështetësit e tij për atë që ai e quajti një ndërprerje të organizuar, e cila shkaktoi edhe anullimin e tubimit në Çikago të premten.

“Ja ku u shfaq edhe një tjetër tani. Nxirreni jashtë. Prapë me simbolet e Bernie-t,” u tha zoti Trump mbështetësve të tij.

Bernie Sanders hodhi poshtë akuzat e zotit Trump se pati orkestruar rebelimin në tubimin e anulluar në Çikago.

Ndërkohë, kandidatja tjetër demokrate Hillary Clinton, tha se zoti Trump mban përgjegjësi për trazirat në aktivitetet e fushatës së tij.

“Retorika e shëmtuar dhe përçarëse e Donald Trump, si dhe inkurajimi i dhunës dhe i agresionit janë jo vetëm të gabuara, por edhe të rrezikshme,” tha ajo.

Edhe rivalët republikanë thanë se zoti Trump është pjesërisht fajtor për trazirat në fushatën e tij.

Me vazhdimin e votimeve paraprake, në shtetin Wyoming, Ted Cruz fitoi më shumë delegatë, ndërsa zoti Trump rezultoi me vetëm 7% të votave. Ndërsa në votimin paraprak në kryeqytetin Uashington, Marco Rubio doli i pari dhe zoti Trump rezultoi në vendin e tretë. Por, ditë e rëndësishme për nga numri i votave do të jetë e marta, kur do të votohet në pesë shtete të rëndësishme: në Florida, Illinois, Ohio, Missouri dhe Karolinën e Veriut. Deri më tani, zoti Trump dhe zonja Clinton vazhdojnë të kryesojnë kampet e tyre politike për nga numri i delegatëve që kanë siguruar.

XS
SM
MD
LG