Lidhje

Trump anulon takimin e nivelit të lartë me Korenë e Veriut


Shtëpia e Bardhë njoftoi përmes një deklarate se është anuluar takimi mes Presidentit Trump dhe udhëheqësit koreno-verior Kim Jong un. Presidenti Donald Trump postoi më pas një koment në Twitter ku shkruan se "shumë gjëra mund të ndodhin dhe ka gjasa që një shans i madh na pret në të ardhmen. Por mendoj se ky është një hap shumë i ndjeshëm prapa për Korenë e Veriut dhe për gjithë botën".

Presidenti po ashtu paralajmëroi se forcat e armatosura amerikane janë "më të përgatitura se kurrë" së bashku me aleatët koreano-jugorë dhe japonezë, nëse Koreja e Veriut ndërmerr "ndonjë akt të papeshuar apo të papërgjegjshëm".

Presidenti Trump shprehu shpresën se udhëheqja e Phenianit do të bashkohej me komunitetin e vendeve.

Vendimi i Shtëpisë së Bardhë vjen pas komenteve të sotme nga autoritetet në Phenian, që u shprehën se Koreja e Veriut është e gatshme për të dyja: ballafaqim bërthamor, ose për bisedime në tryezën e negociatave. Po sot Pheniani u shpreh me terma fyese në adresë të Nënpresidentit Mike Pence, duke e cilësuar si një "politikan kukull". Në letrën e tij drejtuar udhëheqësit koreano-verior, Presidenti Donald Trump shkruan se revoltimi dhe armiqësia e hapur e shfaqur në deklaratat e fundit të Phenianit, e bën të papërshtatshëm për momentin zhvillimin e takimit të shumëpritur.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha sot në seancën informuese në Senat, se një ndër arsyet për anulimin e takimit ishte edhe heshtja nga pala koreano-veriore ndaj kërkesave të përsëritura të Uashingtonit për hollësi lidhur me përgatitjet për takimin.

Anulimi i takimit bëhet ndërkohë që Koreja e Veriut përmbushi sot zotimin për të shkatërruar një ndër objektet që përdorej për prova bërthamore, duke kryer shpërthime në Punggye-ri, një rrjet tunelesh nën malin Mantap.

Objekti i provave bërthamore në pjesën e largët veri-lindore të vendit u shkatërrua nga shpërthimet që zgjatën disa orë dhe që u ndoqën në distancë nga gazetarë të huaj.

Koreja e Veriut e kishte bërë të ditur vendimin për ta shkatërruar objektin para se të bëheshin të njohura planet për takim mes udhëheqësit Kim Jong Un dhe Presidentit Trump. Masa ishte përshëndetur si një gjest i vullnetit të mirë nga Pheniani.

Por ekspertët thonë se kjo masë nuk ishte hapi i fundit dhe se nevojitej shumë më tepër për të përmbushur kushtet që i ka parashtruar administrata Trump Phenianit për çmilitarizim të plotë bërthamor.

Përveç gazetarëve të ftuar, Pheniani nuk kishte lejuar ekspertë të fushës bërthamore të ndiqnin shpërthimet e sotme. Njohës të fushës thonë se edhe pas akteve të ndërmarra sot, objekti nuk është plotësisht jashtë përdorimit, po ashtu Koreja e Veriut ka plot male të tjera ku mund të ndërtohen tunele për prova në të ardhmen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG