Lidhje

Trump, turne për të falenderuar votuesit


Presidenti i zgjedhur Donald Trump fillon sot një turne në disa shtetete amerikane ku do të falenderojë votuesit për mbështetjen. Turneun “Faleminderit SHBA” zoti Trump do ta fillojë me një tubim në Indiana, ku do të flasë për negociatat që ka bërë me kompaninë “Carrier” për ta bindur që të shpëtojë një mijë vende pune dhe të mos mbyllë uzinat në këtë shtet. Më pas Presidenti i zgjedhur Trump do të shkojë në Sinsinati të Ohajos.

Në Indiana, zoti Trump dhe nënpresidenti i zgjedhur Mike Pence do të vizitojnë uzinat e kompanisë “Carrier” në Indianapolis, ku do të njoftojnë në mënyrë më zyrtare hollësitë e marrëveshjes për të shmangur largimin e vendeve të punës nga ky shtet drejt Meksikës.

Anëtari i ekipit të tranzicionit të zotit Trump, Anthony Scaramucci thotë ky është një shembull i zbatimit të politikave ekonomike të presidentit të zgjedhur.

"Mbajtja e 1,000 vendeve të punës të kompanisë “Carrier” në Indiana, është një rritje ose të paktën nuk është një pakësim i të ardhurave nga taksat. Ideja është që të përdorim politikat e taksave për të krijuar më shumë vende pune për klasën e mesme dhe rritje të pagave për shtresën punëtore. Mendoj se nga kombinimi i këtyre dy gjërave, ne do të shohim rezultate dinamike që nuk do të kenë ndikim mbi defiçitin buxhetor, apo që mund ta pakësojnë defiçitin."

Kompania “Carrier”, e cila është një njësi e konglomeratit industrial dhe ushtarak “United Technologies Corp”, tha në fillim të këtij viti se do të zhvendoste operacionet nga Indiana në Meksikë për të ulur koston. Kompania tha në një deklaratë të mërkurën se faktorët në vendimin e saj për të qëndruar, përfshijnë stimuj financiarë nga shteti i Indianës dhe një premtim nga administrata e ardhshme e zotit Trump për përmirësuar klimën konkurruese të biznesit në vend.

Analistja e politikave Meredith McGehee, thotë se vendimi kompanisë “Carrier” është lajm i mirë, por ngre pikëpyetje në lidhje me ndikimin e parasë në politikat publike.

"Mendoj se ajo që ndodhi me kompaninë “Carrier” është një demonstrim i përkryer i fuqisë së presidencës, që tregon se pse këto hapa janë unike dhe pse çështjet e konfliktit të interesit janë kaq të rëndësishme."

As kompania dhe as zoti Trump nuk kanë dhënë hollësi mbi marrëveshjen, si kërcënimet ose stimujt e veçantë që janë përdorur për t’i ndryshuar mendjen kompanisë “Carrier” ose nëse ajo do të lëvizë operacionet e një uzine tjetër nga Indiana në Meksikë.

Zoti Trump mund të ketë pasur ndikim mbi kompaninë “United Technologies”, e cila gjithashtu ka një kompani që furnizon motorë për avionët luftarakë dhe mbështetet pjesërisht te kontratat me ushtrinë amerikane.

Marrëveshja është një fitore për presidentin e zgjedhur Trump, i cili bëri premtime gjatë fushatës se do të ndalte lëvizjen kompanive jashtë vendit, dhe do të rikthente vendet e punës, duke vendosur tarifa të larta mbi produktet e kompanive amerikane që importohen në Shtetet e Bashkuara nga vende të tjera të botës.

XS
SM
MD
LG