Lidhje

Trump hedh poshtë përfundimin e agjencive të zbulimit për ndërhyrje ruse


Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka hedhur poshtë përfundimin e agjencive amerikane të zbulimit se Rusia është përpjekur të ndikojë në zgjedhjet presidenciale, duke ndërmarrë sulme kibernetike kundër subjekteve politike amerikane dhe duke i bërë publike në mënyrë selektive të dhënat e piratuara. Siç njofton Michael Bowman i Zërit të Amerikës, po shtohen pikëpyetjet mbi marrëdhëniet që do të ketë në të ardhmen komandanti i përgjithshëm Trump me komunitetin e zbulimit.

Ndërsa përgatitet për ditën e inaugurimit, Donald Trump nuk e fsheh përbuzjen për stuhinë rreth sulmeve kibernetike ruse.

"Nuk i besoj këto. Ata nuk kanë asnjë ide nëse fjala është për Rusinë, Kinën apo dikë tjetër. Mund ta ketë bërë dikush i ulur në një shtrat diku."

Administrata në largim nuk është tërhequr. Presidenti Barack Obama ka urdhëruar një hetim të plotë rreth sulmeve kibernetike ruse para se të lërë Shtëpinë e Bardhë.

Zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, Eric Schultz:

"Komuniteti ynë i zbulimit arriti në përfundimin se ka pasur aktivitet kibernetik keqdashës për të ndërhyrë në zgjedhjet tona. Komuniteti i zbulimit e ka bërë shumë të qartë se ky ishte aktivitet i drejtuar nga nivelet më të larta të qeverisë ruse."

Ekipi i tranzicionit i zotit Trump vuri në shënjestër zbulimin amerikan, duke thënë: "Këta janë të njëjtit njerëz që dikur deklaruan se Sadam Huseini kishte armë të shkatërrimit në masë."

Sipas zoti Reince Priebus, demokratët po përpiqen të gjejnë dikë për të fajësuar pas humbjes në zgjedhje:

"Nuk ishin rusët që i thanë Clintonit të humbiste në Uiskonsin dhe Miçigan. Ajo humbi sepse idetë e saj ishin të këqija."

Në Kongres pati thirrje nga të dyja partitë që ndërhyrjes ruse t’i shkohet deri në fund.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG