Lidhje

Presidenti Trump shpreh mbështetjen për punonjësit e CIA-s


Presidenti Donald Trump, i cili pati kritikuar ashpër më parë komunitetin e shërbimeve amerikane të zbulimit, u tha ditën e shtunë punonjësve të Agjensisë Qendrore të Zbulimit se ai është plotësisht mbas tyre. Presidenti shkoi në selinë e agjensisë në Langley, të shtetit Virxhinia, vetëm një ditë pas marrjes së detyrës.

Në ditën e tij të parë të plotë si drejtues i vendit, Presidenti Donald Trump i tha personelit të CIA-s se ata kanë mbështetjen e tij.

“Jam vendosmërisht pas jush. E di që ndoshta nuk keni marrë gjithnjë mbështetjen që dëshironi dhe unë do t’ju mbështes së tepërmi. Madje ndoshta dhe do të thoni, ‘Mos na mbështet kaq shumë’.”

Ai u tha rreth 400 punonjësve të mbledhur se SHBA-ja duhet të rrisë luftën e saj ndaj Shtetit Islamik.

“Jemi duke bërë këto luftëra më gjatë se çdo luftë tjetër më parë. Nuk kemi përdorur aftësitë tona reale; kemi qenë të kufizuar. Duhet ta heqim qafe ISIS-in. Nuk ka rrugë tjetër.”

Zoti Trump tha se mediat krijuan ndjesinë e rreme se ai është në konflikt me agjensitë e zbulimit.

Vetëm dy javë më parë, zoti Trump kritikoi komunitetin e zbulimit pas daljes së disa të dhënave të pavërtetuara se Rusia mund të kishte informacion kompromentues rreth tij.

Ai pati shkruar në Twitter se “Agjensitë e zbulimit nuk duhet të kishin lejuar kurrsesi nxjerrjen në publik të këtyre lajmeve të rreme”.

Analistët thonë se do duhet më tepër se thjesht një vizitë, për të zbutur gjërat.

“Punonjësit e CIA-s janë njerëz vërtet të zgjuar, janë profesionistë, janë të mirëarsimuar; vetëm një fjalim nuk do qetësojë shqetësimet e tyre të thella për presidentin e ri”, thotë Aki Peritz, ish-analist i CIA-s.

Zoti Trump e quajti të emëruarin e tij për drejtor të CIA-s, ligjvënësin Mike Pompeo, një “yll i vërtetë”.

Senati pritet ta konfirmojë nesër emërimin e zotit Pompeo.

Nga Shtëpia e Bardhë, sekretari i tij i shtypit kritikoi ashpër mediat për mbulimin e inaugurimit.

Sean Spicer, sekretar i shtypit i Shtëpisë së Bardhë, akuzoi mediat se kishin raportuar përmasa më të vogla të turmës.

“Këto përpjekje për të ulur entuziazmin e inaugurimit janë të turpshme dhe të gabuara.”

Ky ishte fillimi i asaj që zoti Trump ka premtuar të jetë një presidencë e ngarkuar me punë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG