Lidhje

Gara presidenciale, kandidatët shkëmbejnë akuza


Kandidati republikan për president Donald Trump thotë se amerikanët kanë zemër të madhe, por nuk mund të marrin mbi vete rreziqe ndaj sigurisë, duke pranuar refugjatë. Donald Trump më parë është shprehur për masa të veçanta kontrolli të hartuara për myslimanët që futen në Shtetet e Bashkuara:

Zoti Trump ishte dje në Virginia Beach, një qytet në një zonë ku një numër i madh banorësh janë të punësuar në ushtri apo kanë pikëpamje të forta pro-ushtrisë. Kandidati republikan iu përgjigj pyetjeve nga salla në një takim me zgjedhësit të drejtuar nga gjenerali në pension Michael Flynn, vetë përkrahës i fortë i zotit Trump.

Kandidati republikan akuzoi rivalen demokrate Hillary Clinton se kërkon një rritje masive të numrit të imigrantëve që do të lejohen të futen në vend:

“Ajo do që të lejojë një rritje prej 650% krahasuar me shifrën që ka lejuar Obama, me gjithë refugjatët nga Siria dhe Lindja e Mesme. Vetë Obama ka lejuar mijëra e mijëra vetë të vijnë këtu. Ne nuk e dimë nga po vijnë”.

Ndërkaq rivalja e tij Hillary Clinton ishte në Tampa të Floridas ku u hodh në sulm kundër zotit Trump se kishte sugjeruar përdorimin e armëve bërthamore kundër terroristëve:

“Ai flet fare pa u rezervuar për armët bërthamore, thotë se nuk do t’ia dijë nëse edhe vende të tjera i shtien në duar këto armë; nuk e di përse nuk janë përdorur ende armët bërthamore. Këto janë komente tronditëse. Nuk më besohet që i ka thënë, por pastaj e shoh edhe një herë videon”.

Një anketë e re e rrjetit CNN me zgjedhësit, e bërë publike dje, tregonte zotin Trump me një avantazh prej dy pikësh mbi zonjën Clinton, ndërsa në anketa të tjera, kandidatja demokrate Clinton kryeson me 3 pikë ndaj rivalit republikan.

Zoti Trump ka siguruar mbështetjen e 88 gjeneralëve dhe admiralëve në pension, të cilët thonë se kanë besim tek ai si një udhëheqës që do të rindërtojë ushtrinë e vendit dhe do të sigurojë kufijtë.

Por ai mori një goditje të rëndë kur gazeta konservatore Dallas Morning News tha se nuk do ta mbështesë në garën për president. Kjo gazetë që në 1964 ka mbështetur çdo kandidat republikan në garën presidenciale.

XS
SM
MD
LG