Lidhje

Pena Nieto: Propozimet e Trumpit, kërcënim për Meksikën


Presidenti i Meksikës Enrique Pena Nieto thotë se propozimet e kandidatit republikan për president Donald Trump përbëjnë kërcënim për Meksikën. Zoti Pena Nieto i bëri komentet një ditë pasi dy udhëheqësit u takuan në Qytetin e Meksikos:

Presidenti Pena Nieto u kritikua gjerësisht për ftesën që i bëri zotit Trump. Ai u kritikua gjithashtu që nuk iu kundërvu më haptazi gjatë takimit të tyre lidhur me komentet e kandidatit presidencial se imigrantët meksikanë janë kriminelë, trafikantë droge dhe përdhunues si dhe zotimin e Donald Trumpit për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit me Meksikën:

“Pa dyshim, shumë prej propozimeve të kandidatit presidencial Trump përmbajnë kërcënim për Meksikën. Një kërcënim real për të ardhmen dhe zhvillimet në Meksikë. Prandaj si president i këtij vendi, u ndala në këtë temë ku kemi divergjenca. Duket qartë se ata nuk e dinë sa e rëndësishme është Meksika në lidhje me fqinjin e saj, Shtetet e Bashkuara”.

Zoti Pena Nieto u përpoq të mbronte vendimin e tij për t’u takuar me Donald Trumpin. Në një takim të hapur me votuesit meksikanë, ai tha se vendi i tij nuk ka për të paguar për ndërtimin e murit që propozon zoti Trump:

“I thashë personalisht kandidatit Trump se në asnjë mënyrë Meksika nuk do të paguajë për murin që ai ka propozuar të ndërtohet në anën amerikane të kufirit. Në asnjë mënyrë. Është në sovranitetin tonë të vendosim të mos paguajmë për një mur që ai ka propozuar të ndërtohet në Shtetet e Bashkuara”.

Pas takimit me udhëheqësin meksikan dje, kandidati republikan Donald Trump iu kthye retorikës së ashpër ndaj imgracionit të paligjshëm, duke shuar shpresat e atyre republikanëve që prisnin një zbutje të qëndrimit të tij në këtë çështje:

“Ata që kanë hyrë ilegalisht dhe kërkojnë të pajisen me dokumente kanë një rrugë të vetme: të kthehen në vendin e tyre dhe të aplikojnë për t’u futur brenda rregullave si gjithë të tjerët. Do ta thyejmë ciklin e amnistisë dhe imigracionit të paligjshëm”.

Zoti Trump është përpjekur muajt e fundit të ndryshojë tonin dhe të paraqesë një qëndrim më të butë në një numër temash. Rivalja e tij Hillary Clinton dje pas komenteve të kandidatit republikan i mëshoi mesazhit se ai mbetet i njëjtë dhe se qëndrimet e tij nuk janë zbutur apo moderuar.

Analisti i Universitetit Georgetown Stephen Wayne thotë se zoti Trump nuk ka arritur ta zgjerojë bazën e përkrahësve, përtej votuesve që i siguruan fitore në zgjedhjet partiake:

“Ai bëri për vete segmentin më të revoltuar të Partisë Repulikane, por ky segment nuk përfaqëson të gjithë vendin. Këto zgjedhje po marrin formën e një referendumi pro, apo kundër Trumpit. Në zgjedhjet partiake ai e fitoi garën, por po humbet në shkallë vendi, pikërisht për shkak të mesazhit që i siguroi fitoren në garat paraprake”.

Një sprovë e fortë i pret dy kandidatët kur të dalin përballë njëri-tjetrit në debatet presidenciale. Debati i parë zhvillohet më 26 shtator.

XS
SM
MD
LG