Lidhje

Ish-avokati i Presidentit Trump: Përparësia ime, mbrojtja e familjes


Michael Cohen, i cili ndodhet nën hetime penale lidhur me rolin si avokat i Presidentit Donald Trump, tha sot se "përparësia kryesore" e tij është të mbrojë familjen dhe vendin dhe jo presidentin.

Zoti Cohen, avokat nga Nju Jorku, dikur e përshkruante veten si "njeriu që ishte gati ta mbronte me jetë" zotin Trump, manjatin e pasurive të patundshme të shdëruar në politikan. Por tani që Prokurori i Posaçëm Robert Mueller, po heton rolin e zotit Cohen gjatë fushatës presidenciale të zotit Trump në vitin 2016 dhe prokurorët e Nju Jorkut po hetojnë marrëveshjet e biznesit të zotit Cohen, ai doli me një qëndrim ndryshe, gjatë një intervistë për rrjetin televiziv ABC News.

Avokati 51-vjeçar sinjalizoi gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me prokurorët në dy hetimet, duke thënë se "së pari u qëndroj besnik gruas, vajzës dhe djalit tim dhe gjithnjë do ta bëj. Unë vendos familjen dhe vendin tim në radhë të parë".

Deri kohët e fundit, zoti Cohen luajti rol kyç në përfaqësimin e zotit Trump, ndonëse nuk pati ndonjë pozicion zyrtar në Shtëpinë e Bardhë.

Më shumë se dy javë përpara zgjedhjeve të nëntorit 2016 zoti Cohen i bëri një pagesë aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels për të blerë heshtjen e saj në atë kohë, lidhur me një çështje të dyshuar, për një natë që ajo pretendon të ketë kaluar me zotin Trump në vitin 2006, kjo pak pasi gruaja e tij Melania, lindi djalin e tyre Barron. Sipas disa analistëve ligjorë amerikanë pagesa mund të interpretohet si një shkelje e ligjit për financimin e fushatës nga ana e zotit Cohen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG