Lidhje

"Trump-Comey”, rikthim në marrëdhënien e dikurshme FBI-Shtëpi e Bardhë


Ish drejtori i FBI-së James Comey përshkroi dje atë që ai e cilësoi, një përpjekje e gjerë dhe e përsëritur nga ana e presidentit Donald Trump për të penguar hetimin e FBI-së mbi lidhjet e dyshuara të zyrtarëve të fushatës së tij me Rusinë. Pohimet e tij janë të pakonfirmuara, por nëse do të ishin të vërteta, do të përfaqësonin një rikthim në kohën kur FBI-ja bënte atë që kërkonte presidenti.

Në dëshminë e tij të enjten, ish-drejtori i FBI James Comey i mëshoi një temë që trajtohet gjithnjë, pavarësisë së FBI-së.

"FBI-ja është një institucion i ndershëm, i fortë dhe do të jetë gjithmonë i pavarur".

Kjo ishte në sintezë akuza drejtuar presidentit Donald Trump.

Ish kreu i FBI-së e bëri të qartë se ai e sheh zotin Trump si kërcënim ndaj barrierës që pengon një president të ndërhyjë tek FBI-ja.

Por kjo pengesë jo gjithmonë ka ekzistuar.

Në fakt, presidentët amerikanë për dekada me radhë kanë punuar ngushtë dhe shpesh herë në mënyrë të papërshtatshme me drejtorin e FBI-së J. Edgar Hoover, i cili e drejtoi byronë e hetimit për pothuajse 50 vjet, thotë historiani Douglas Charles.

"Në thelb FBI-ja ishte krahu politik i zbulimit për Shtëpinë e Bardhë. Mblidhte informacion për kritikët e politikës së jashtme, për kritikët politikë, me qëllimin për t'i dëmtuar".

Kjo ndryshoi përfundimisht kur Departamenti i Drejtësisë lëshoi udhëzime që parashtronin se si FBI-ja duhej të ndërvepronte me Shtëpinë e Bardhë.

"Sipas udhëzimeve aktuale të Departamentit të Drejtësisë është vetëm prokurori i përgjithshëm apo zëvendës prokurori i përgjithshëm që supozohet të nisin komunikimet me Shtëpinë e Bardhë. Dhe ky është standardi".

Çdo gjë përtej kësaj është e pazakontë. Një president që bën presion ndaj një drejtori të FBI-së që të heqë dorë nga një hetim në fakt do të ishte shumë e pazakontë.

Por kjo në një situatë perfekte, pasi udhëzimet e Departamentit të Drejtësisë nuk janë gjë tjetër veçse udhëzime.

Dhe kjo është pjesa që ndërlikon situatën e zotit Trump.

A shkeli presidenti me sjelljen e tij thjesht udhëzimet apo ligjin, duke penguar drejtësinë?

Në këtë pikë kjo është vështirë të thuhet sipas Chris Edelson të Universitetin Amerikan.

"Problemi i dytë është një problem politik. Edhe nëse përbëjnë ose jo krim, tashmë është shumë e vështirë të shohësh këtë Shtëpi të Bardhë si të besueshme”.

Avokati i presidentit Trump hodhi poshtë disa pjesë të rëndësishme të dëshmisë së zotit Comey. Megjithatë kjo është një çështje që administrata Trump nuk duket se do ta hedhë lehtë pas krahëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG