Lidhje

Trump sulmon ashpër ish-drejtorin e FBI, Comey për librin e ri


Mbështetësit e Presidentit të SHBA, Donald Trump kanë filluar një fushatë në internet për të diskredituar një libër me kujtime të ish-drejtorit të FBI-së James Comey, që pritet të botohet së shpejti.

Libri me titull “Një besnikëri më e lartë: Të vërtetat, gënjeshtrat dhe lidershipi”, pritet të dalë në qarkullim më 17 prill.

Siç njofton agjencia e lajmeve Associated Press, në libër zoti Comey nuk i kursen sulmet e ashpra në drejtim të Presidenti Trump.

"Ai e quan presidentin 'joetik' dhe të shkëputur nga e vërteta. Comey e përshkruan stilin e tij të udhëheqjes si diçka të shtyrë nga allishverishet dhe nga egoja, diçka që lidhet me besnikërinë ndaj tij.Kjo temë përshkon gjithë librin, kur autori na jep takimet e tij me presidentin e zgjedhur në Kullën Trump, pastaj më vonë disa herë në Shtëpinë e Bardhë dhe më pas në telefon kur Comey ishte akoma në postin e tij. Ai shpesh e krahason zotin Trump me një bos mafioz, duke thënë se presidenti në një farë mënyre dukej sikur po drejtonte një familje krimi në Nju Jork", thotë Jonathan Lemire, gazetar i agjencisë së lajmeve Associated Press.

Libri me kujtime premton të japë një vështrim të thellë në marrëdhënien e tensionuar të zotit Comey me presidentin Trump, i cili e shkarkoi, duke e akuzuar për ndërhyrje në pavarësinë e FBI-së.

Presidenti Trump reagoi sot në Twitter, duke e quajtur ish-drejtorin e FBI-së një “rrjedhës informacioni dhe gënjeshtar të provuar”.

“Thuajse çdo njeri në Uashington mendonte se ai duhej shkarkuar për punën e tmerrshme që kishte bërë, deri sa në fakt u shkarkua. Ai nxori informacione sekrete, gjë për të cilën duhet të ndiqet penalisht. Ai gënjeu para Kongresit nën betim,” shkruan Presidenti Trump në komentin e tij në Twitter, ku mes të tjerash e quan zotin Comey të “neveritshëm.”

Publikimi i librit vjen në një moment veçanërisht të ndjeshëm për zotin Trump dhe Shtëpinë e Bardhë. Zyrtarë në Shtëpinë e Bardhë thonë se ai është zemëruar së tepërmi për një bastisje të ndërmarrë kohët e fundit nga FBI-ja në shtëpinë dhe zyrën e avokatit të tij personal, duke ngritur mundësinë që ai të shkarkojë nga detyra zëvendës Prokurorin e Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili emëroi njeriun që kryen hetime rreth lidhjeve të mundshme të fushatës Trump me Rusinë, Robert Mueller, ose që të përpiqet t’i japë fund hetimit të zotit Mueller.

Komiteti Kombëtar Republikan hapi të enjten një faqe të re në internet "Lyin'Comey.com", që përmban citime nga demokratë të njohur të cilët kanë kritikuar ish-drejtorin e FBI-së në të kaluarën.

Fox News njofton se Partia Republikane ka në plan të bëjë një verifikim të fakteve që parashtrohen në librin e zotit Comey dhe ta përdorë këtë faqe interneti si një mjet të kundërpërgjigjes së shpejtë për të vënë në dukje "keqinterpretimet" apo “kontradiktat", siç i quan ajo.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG