Lidhje

Presidenti Trump fajëson republikanët e kongresit për “kaos” lidhur me borxhin


Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar udhëheqësit republikanë të Kongresit për krijimin e një "kaosi" politik, duke mos bashkëngjitur ligjin mbi tavanin e borxhit, me një ligj të sapo firmosur që u vjen në ndihmë veteranëve.

Komentet e tij në Twitter zoti Trump ia drejtonte udhëheqësit të shumicës së Senatit Mitch McConnell si dhe kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan.

"Kam kërkuar që Mitch M & Paul R të lidhin ligjin mbi tavanin e borxhit me ligjin për veteranët (i cili sapo kaloi), kjo për ta bërë miratimin më të lehtë" shkruante presidenti Trump." Mund të kishte qenë shumë e lehtë por tashmë është bërë kaos!” shkruante ai.

Kongresi ka kohë deri në fund të shtatorit për të rritur tavanin e borxhit. Dështimi i në këtë drejtim, mund ta pengojë qeverinë federale të paguajë disa prej faturave të saj ose t'i shtyjë ato, një situatë që siç parashikojnë disa ekonomistë, mund të shkaktojnë një rritje në normat e interesit, recesion botëror ose rënie të tregut të aksioneve. Duhet gjithashtu të miratohet dhe një masë për të mbajtur qeverinë federale në punë, deri në 30 shtator kur përfundon viti fiskal.

Ligji të cilit iu referua presidenti Trump u nënshkrua të mërkurën. Ai përshpejton procesin për veteranët që paraqesin kërkesa për aftësi të kufizuara pranë Administratës së Veteranëve.

Sipas njoftimeve në Uashington kishte patur bisedime për të lidhur ligjin mbi tavanin e borxhit me projektligjin e veteranëve, por nuk ishte e qartë nëse ideja vinte nga presidenti Trump.

Gjatë këtij muaj, zoti McConnell pohoi se Kongresi dhe Shtëpia e Bardhë nuk do të lejonin që qeveria të dështonte me detyrimet e saj lidhur me borxhin.

"Nuk ka asnjë shans, asnjë, që ne nuk do të rrisim tavanin e borxhit", tha zoti McConnell gjatë një takimi në shtetin e tij në Kentaki.

Të enjten Presidenti sulmoi gjithashtu në twitter ish-drejtorin e zbulimit kombëtar, James Clapper, kritikat e shpeshta të të cilit u përshkallëzuan këtë javë kur ai vuri në pikëpyetje përshtatshmërinë e zotit Trump për postin e presidentit.

"James Clapper, i cili u kap duke gënjyer në Kongres, a do t'jua tregojë ai letrën e tij të bukur për mua?", shkroi presidenti pa dhënë shumë detaje.

Pas një fjalimi përçarës të zotit Trump në një miting që u zhvillua të martën në Feniks të Arizonës, zoti Clapper i tha rrjetit mediatik CNN: "Pyes veten nëse ai vërtet ka aftësinë për të qëndruar në atë zyrë?!".

Dy ligjvënës kanë akuzuar zotin Clapper për dëshmi të rreme me pohimin e tij në një komision të kongresit në vitin 2013, se Agjencia e Sigurisë Kombëtare nuk "mbledh me qëllim" të dhëna mbi shtetasit amerikanë. Zoti Clapper paraqiti dorëheqjen e tij në nëntor 2016 e cila hyri në fuqi në fund të mandatit të Presidentit Barak Obama më 20 janar 2017.

Në fokus të zemërimit të presidentin Trump u vu sërisht media. Ai shkroi në twitter duke u ankuar mbi mbulimin mediatik të tre fjalimeve që mbajti këtë javë.

"Lajmi i rremë” po ankohet tani për llojet e mia të ndryshme të fjalimeve të një pas njëshme pra, Afganistani (i zymtë), takimi i madh (entuziast, dinamik dhe argëtues) dhe Legjioni Amerikan i veteranëve (i respektueshëm dhe i fortë). Sa keq që demokratët nuk kanë asnjë që të mund të ndryshojë tonet!

Gjatë një fjalimi të hënën mbi strategjinë e shumëpritur të tij ushtarake për Afganistanin, zoti Trump përdori një ton pajtues, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara duhet të "kthehen në një vend që nuk është në luftë me veten në shtëpi".

Ditën tjetër në Phoenix, zoti Trump mbajti një fjalim të pa bosht prej 75 minutash, duke kërcënuar me mbyllje të qeverisë nëse Kongresi nuk siguronte fonde për murin përgjatë kufirit me Meksikën. Ai sulmoi gjithashtu mediat mbi mbulimin që i bënë përgjigjes së tij lidhur me dhunën që shpërtheu në protesten e Sharlotsvill.

Të mërkurën në Reno të Nevadës zoti Trump apeloi për një komb më të unifikuar, kur tha se "është koha për të shëruar plagët që na ndajnë".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG