Lidhje

Trump: “Shumë pranë” marrëveshjes me demokratët për DACA-n


Presidenti Donald Trump tha të enjten në mëngjes se ishte “shumë pranë” një marrëveshjeje me udhëheqësit demokratë në Kongres, për imigrantët pa dokumenta që kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara si fëmijë, por tha se marrëveshja duhet të përfshijë “masa masive sigurie në kufi”. Komentet e tij vijnë pas paqartësive që pasuan një deklaratë të krerëve demokratë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, se ishte arrititur një marrëveshje. Kjo kategori imigrantësh ishte mbrojtur nga deportimi përmes një programi të administratës së ish-presidentit Obama, që presidenti Trump e anulloi javës që kaloi.

Presidenti shkruante sot në mëngjes në Twitter se "asnjë marrëveshje nuk u arrit mbrëmë për DACA-“, por para se të nisej për në Florida, ai tha para gazetarëve se po punohet për një plan të tillë.

“Po punojmë për një plan, me kusht që të sigurojmë masa masive për kontrollin e kufirit. Po punojmë për një plan për DACA-n. Njerëzit duan që kjo të bëhet. Kemi 800 mijë të rinj që nuk janë sjellë këtu për fajin e tyre, prandaj po punojmë për një plan. Do ta shohim se si do të funksionojë por duhet të sigurojmë masa të forta në kufi në këmbim. Diçka do të bëhet. Muri do të vijë më pas”.

Udhëheqësja e demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe ai i demokratëve në Senat, Chuck Schumer kishin thënë pasi u takuan me zotin Trump të mërkurën në mbrëmje se kishin rënë dakord që të merrnin masa mbrojtëse për 800 mijë vetët e regjistruar në programin e quajtur “Deferred Action for Childhood Arrivals”, (DACA).

Zonja Pelosi dhe zoti Schumer thanë se plani parashikonte punën për një paketë për sigurinë e kufirit, që nuk përfshinte murin që zoti Trump do të ndërtojë në kufirin mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.

Po sot në mëngjes, në një deklaratë të përbashkët ata thanë se komentet e zotit Trump për këtë temë “nuk binin ndesh me atë që u ra dakord mbrëmë” dhe theksuan se nuk ishte arritur ende një marrëveshje përfundimtare.

“Ne ramë dakord që Presidenti do të mbështeste garantimin me ligj të mbrojtjeve të parashikuara nga DACA dhe do të nxiste Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin të vepronin. Ajo që mbetet për t’u negociuar janë detajet e sigurisë në kufij, me synimin e përbashkët për të finalizuar detajet sa më shpejt”.

Zoti Trump la të kuptohej se udhëheqësit republikanë në Kongres ishin dakord me marrëveshjen për DACA-n dhe sigurinë në kufi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG