Lidhje

Presidenti Trump thotë se do t'u japë shansin demokratëve të reformojnë imigracionin


Presidenti amerikan Donald Trump tha të dilën se do që t’u japë ligjvënësve demokratë të opozitës, “të gjitha shanset e mundshme” që të ashpërsojnë ligjet e azilit dhe politikat e imigracionit në vend, para se të fillonte bastisjet në gjithë vendin për të deportuar imigrantët e paligjshëm.

Zoti Trump, pa dhënë detaje për atë që do të realizohet, tha se ligjvënësit që kundërshtojnë qëndrimin e tij të ashpër ndaj imigracionit, mund të “negociojnë me shpejtësi ndryshime të thjeshta në sistemin e azilit dhe mangësitë e tij. Kjo do ta ndreqë Kufirin Jugor, me ndihmën që po na jep Meksika. Ka gjasa që të mos bëhet, por ia vlen përpjekja. Dy javë dhe pastaj fillon deportimi!”.

Presidenti amerikan kishtë thënë më herët të shtunën se imigrantët që janë objektivi i një operacioni në gjithë Shtetet e Bashkuara, duhet të kthehen në vendet e tyre.

Drejtori në detyrë i Agjencisë për Imigracionin dhe Doganat, Mark Morgan u tha gazetarëve para disa ditësh se agjencia do të grumbullonte dhe deportonte familjet që kanë marrë urdhër për largim nga gjykata amerikane e imigracionit.

Operacioni, për të cilin njoftoi fillimisht gazeta The Washington Post, pritet të fillojë të dielën dhe do të vinte në shënjestër deri në 2 mijë familje në qytete të mëdha që jnaë destinacione kryesore imigracioni, përfshirë Hjustonin, Çikagon, Majamit dhe Los Anxhelesin. Gazeta tha se informacioni për bastisjet mbështetet tek intervistat me tre zyrtarë amerikanë që folën me kusht që të mos identifikoheshin.

Gazeta The Miami Herald tha se qytete të tjera ku pritet të kryhet operacioni janë Atlanta, Baltimora, Denveri, Nju Orleansi, Nju Jorku dhe San Fransisko.

Presidenti Trump shkruante në Twitter të hënën se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë të dëbojnë “miliona imigrantë të paligjshëm” nga vendi javën e ardhshme, por njoftimi u duk sikur i kapi në befasi zyrtarët e imigracionit.

Zyrtarët e administratës thanë se planet e dëbimit po shqyrtoheshin prej disa muajsh, por zyrtarët e imigracionit thanë në fillim të javës se operacionet ndaj familjeve të imigrantëve nuk do të bëheshin së shpejti.

Sipas Washington Post-it diskutimet lidhur me përmasat e operacionit vazhduan të premten në Shtëpinë e Bardhë, në Departamentin e Sigurisë Kombëtare dhe Agjencinë e Imigracionit dhe Doganave.

Sekretari në detyrë i Sigurisë Kombëtare, Kevin McAleenan ka paralajmëruar se një operacion për arrestimin e imigrantëve në shtëpitë dhe vendet e punës, rrezikon që të shkaktojë ndarjen e fëmijëve nga prindërit e tyre.

Zoti Morgan tha se operacioni është i nevojshëm për integritetin e sistemit të imigracionit.

Kryebashkiakët e Los Anxhelesit dhe Çikagos thonë se policia e qytetit nuk do të marrë pjesë në operacione.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG