Lidhje

Presidenti Trump lavdëron presidentin filipinas


Presidenti amerikan Donald Trump lavdëroi në mënyrë të përsëritur presidentin filipinas Rodrigo Duterte, duke lënë thuajse në heshtje çështjen e të drejtave të njeriut në Filipine, ku zoti Duterte akuzohet për mijëra vrasje të jashtëligjshme në luftën e tij kundër personave të dyshuar për trafik droge.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sarah Huckabee Sanders tha se të drejtat e njeriut “u përmendën shkurtimisht në kontekstin e luftës së Filipineve kundër drogave të paligjshme", kur zoti Trump u takua për 40 minuta me presidentin Duterte në Manila.

Por zëdhënësi i zotit Duterte, Harry Roque e mohoi këtë, duke thënë se të drejtat e njeriut nuk u përmendën. “Nuk u përmend asnjë vrasje e jashtëligjshme. Pati vetëm një diskutim të gjatë për luftën kundër drogës në Filipine dhe presidenti Duterte foli në pjesën më të madhe të takimit duke bërë shpjegime", tha zëdhënësi.

Grupet e të drejtave të njeriut i kanë bërë thirrje zotit Trump që ta mbyllë turneun aziatik me një deklaratë ku të dënojë vrasjet nga zoti Duterte të personave të dyshuar për drogë.

Organizata Human Rights Watch thotë se që nga mesi i vitit 2016 forcat e sigurisë dhe "persona të armatosur të paidentifikuar" kanë vrarë të paktën 7,000 përdorues dhe trafikantë të dyshuar drogash, me 3,116 vrasje të kryera nga policia.

Përpara takimit, Presidenti Trump tha për zotin Duterte, "Ne kemi pasur një marrëdhënie të shkëlqyer."

Trump vlerësoi zotin Duterte për organizimin e takimeve të nivelit të lartë në Manila.

Në Uashington, senatori republikan John McCain, një kritik i shpeshtë i zotit Trump, tha në një koment në Twitter: "Të drejtat e njeriut padyshim nuk janë përparësi në takimin e presidentit me Duterten - sa keq!”

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG