Lidhje

Trump nuk do të ndalojë dëshminë e Comey-t në Kongres


Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump njoftohet se nuk ka në plan të përdorë privilegjin ekzekutiv për të ndaluar ish-drejtorin e FBI-së James Comey të dëshmojë në Kongres rreth bisedave me presidentin në lidhje me ish-këshilltarin e sigurisë kombëtare. Privilegji ekzekutiv është një pushtet i përdorur nga dega ekzekutive e qeverisë amerikane për të kthyer mbrapsht kërkesa për dokumenta apo për të hedhur poshtë kërkesa për dëshmi nga zyrtarë të lartë.

Vendimi u njoftua nga gazeta New York Times, e cila citoi dy zyrtarë të lartë anonimë të administratës Trump.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer u tha gazetarëve të premten se ai nuk kishte dijeni nëse presidenti do të përpiqet të bllokojë dëshminë e zotit Comey.

Si drejtor i FBI-së, Comey kryesonte hetimin e agjencisë rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar dhe nëse anëtarë të fushatës Trump bashkëpunuan në mënyrë të paligjshme me Rusinë.

Është vendosur që ish-shefi i FBI-së të dëshmojë përpara Komisionit të Senatit për Zbulimin, i cili po kryen gjithashtu një hetim mbi zgjedhjet dhe bashkëpunimet e mundshme.

James Comey pritet t’u tregojë ligjvënësve rreth disa diskutimeve që ai ka patur me presidentin Trump, duke përfshirë një gjatë të cilit presidenti i kërkoi atij të pezullonte hetimin mbi ish-këshilltarin për sigurinë kombëtare Michael Flynn.

Ka disa hetime të ndryshme që po kryhen nga komisionet në Kongres për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane, si dhe për ndonjë rol të mundshëm që mund të kenë patur në këtë ndërhyrje bashkëpunëtorët e zotit Trump gjatë fushatës elektorale. Përveç Kongresit, Departamenti i Drejtësisë caktoi ish-drejtorin e FBI-së Robert Mueller si këshilltar të posaçëm për të hetuar nëse ndihmësit e fushatës Trump bashkëkunuan në mënyrë të paligjshme me Rusinë.

Hetimet filluan pasi agjencitë amerikane të zbulimit arritën në përfundimin se Rusia kreu sulm kibernetik në kompjuterat e Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC) vitin e kaluar, me qëllim për t’i shkaktuar dëm fushatës së kandidates së Partisë Demokratike për presidente Hillary Clinton.

Presidenti Trump ka hedhur poshtë akuzat për bashkëpunim me Moskën dhe vlerësimin e agjencive të zbulimit të Shteteve të Bashkuara se Vladimir Putin urdhëroi një fushatë ndikimi që kishte për qëllim ndërhyrje në zgjedhjet e nëntorit. Presidenti rus Putin ka përsëritur se nuk ka prova mbi përfshirjen e Kremlinit në zgjedhje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG