Lidhje

Shkarkimi i kreut të FBI-së befason Uashington


Në një vendim që tronditi Uashingtonin, Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën shkarkimin e kreut të Byrosë Federale të Hetimeve James Comey. Zoti Comey po mbikqyrte një hetim për të sqaruar nëse disa pjestarë të fushatës së zotit Trump kishin bashkëpunuar me Rusinë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Presidenti i shkruante zotit Comey hapur përmes një letre se “ai nuk ishte i aftë ta udhëhiqte me efikasitet FBI-në.”

Zoti Trump tha se vendimi i tij mbështetej në rekomandimet që i kishin ardhur ngas Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions dhe zëvendësi i tij, Rod Rosenstein, të cilët kërkonin shkarkimin e zotit Comey për shkak të mënyrës së hetimit të emaileve të ish-sekretares së shtetit Hillary Clinton, të cilën zoti Trump e mundi në zgjedhjet e nëntorit.

Por ligjvënësit demokratë, nën drejtimin e udhëheqësit të pakicës në Senat, Chuck Schumer, shprehën zemërim lidhur me këtë vendim, duke thënë se zoti Comey ishte pushuar nga puna në një përpjekje për t’i dhënë një tjetër drejtim hetimit nga FBI-ja për mundësinë e lidhjeve mes Rusisë dhe pjesëtarëve të fushatës së Presidentit Trump.

"Ne e dimë se Dhoma e Përfaqësuesve është duke zhvilluar një hetim lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet tona, nga të cilat përfitoi fushata e zotit Trump; ne e dimë se Senati është duke zhvilluar një hetim; e dimë se FBI-ja ka qenë duke shqyrtuar në se fushata Trump ka bashkëpunuar me rusët. Kjo është një shkelje shumë serioze. Vallë mos po shkonin këto hetime shumë pranë Presidentit?”

Ligjvënësi Schumer i bëri thirrje Departmentit të Drejtësisë që të emërojë një prokuror të posaçëm për të vazhduar hetimin për lidhje të mundshme mes fushatës së zotit Trump dhe Rusisë.

Edhe disa ligjvënës republikanë shprehën zemërim dhe panik lidhur me pushimin nga puna të zotit Comey nga Presidenti.

James Comey ishte duke folur para një grupi punonjësish të FBI-së në Los Anxhelos, të Kalifornisë, kur ai mësoi lajmin se ishte pushuar nga puna përmes njoftimit të televizineve. Disa orë më vonë, ai u kthye në Uashington.

Disa demokratë në Kongres e krahasuan veprimin e presidentit Trump me atë të Richard Nixonit, i cili pushoi nga puna zyrtarët që ishin duke zhvilluar hetime ndaj tij gjatë skandalit të Uotergejtit në fillim të viteve 1970.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG