Lidhje

Presidenti Trump flet për arritjet e administratës së tij


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se administrata e tij ka bërë përparim të jashtëzakonshëm. Por, gjatë një tubimi masiv të stilit elektoral, ai sërish u ankua për mbulimin e pandershëm nga mediat amerikane.

Presidenti Trump tha se pjesa më e madhe e mediave qendrore janë përçues të lajmeve të rreme dhe i akuzoi gazetarët se gënjejnë për burimet e tyre.

“Dëshiroj të gjendem në një sallë të mbushur me amerikanë punëtorë që e duan vendin e tyre, që nderojnë flamurin dhe që luten për një të ardhme më të mirë... Gjithashtu, dëshiroj t’ju flas pa filtrin e lajmeve të rreme. Ato janë bërë pjesë e madhe e problemit. Ato janë pjesë e sistemit të korruptuar.”

“Ata kanë axhendën e tyre, e cila nuk ka të bëjë me axhendën tuaj”, i tha Presidenti Trump një turme të madhe mbështetësish prej rreth 9 mijë personash që pritën me brohoritje komentet e tij, të mbledhur në një hangar aeroporti në qytetin Melbourne.

Ndërkohë, i pyetur gjatë një interviste në kanalin NBC, Senatori republikan John McCain, tha se një shtyp i lirë është thelbësor në ruajtjen e demokracisë. Ai paralajmëroi ndaj përpjekjeve për të heshtur median e lirë duke se “kështu ja kanë filluar diktatorët”.

Nga Melbourne, Presidenti Trump përsëriti gjithashtu premtimet e fushatës së tij për shkolla më të mira, punësim më të mirë për punonjësit amerikanë, si dhe për një sistem më të mirë të kujdesit shëndetësor.

Presidenti Trump hodhi poshtë njoftimet se stafi i Shtëpisë së Bardhë është i çorganizuar, joefikas dhe kundërshtues. Ai tha se sërish ky është rezultati i njoftimeve false, dhe shtoi se “trashëguam një rrëmujë të madhe”.

Presidenti iu prezantua pjesëmarrësve dje nga Zonja e Parë, Melania Trump, e cila gjithashtu udhëhoqi një lutje të përbashkët. Ajo u tha njerëzve se mund t’i besojnë që ajo do të veprojë në interesin e tyre më të mirë.

Gjatë fluturimit me avion, një gazetar e pati pyetur Presidentin Trump për arsyet pse po organizonte një tubim të stilit të fushatës, kaq afër përfundimit të zgjedhjeve. Ai iu përgjigj se “jeta është një fushatë. Për ta bërë Amerikën sërish madhështore është absolutisht një fushatë. Nuk është e lehtë, në veçanti pasi jemi duke luftuar edhe me shtypin”.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG