Lidhje

Presidenti Trump, sot takim për sigurinë në shkolla


Presidenti Donald Trump do të kryesojë sot një takim dëgjimor me nxënës, prindër dhe mësues të shkollave amerikane, ku ka patur incidente me armë zjarri.

Marrin pjesë edhe nxënës të shkollës së mesme “Marjory Stoneman Douglas” në Parkland të Floridës, ku një ish-nxënës vrau 17 vetë të mërkurën e kaluar.

Presidenti thotë se e ka udhëzuar Departamentin e Drejtësisë të propozojë rregullore për të kufizuar përdorimin e mekanizmave që u shtohen pushkëve gjysmë automatike, për t’i bërë të imitojnë shpejtësinë e zjarrit të armëve plotësisht automatike.

Nxënës në të gjithë Amerikën po protestojnë kundër incidenteve të vrasjeve masive në shkolla dhe kërkojnë veprime nga udhëheqësit politikë për ta ndalur këtë dukuri.

Një ditë pas një proteste të nxënësve përballë Shtëpisë së Bardhë për të kërkuar ashpërsimin e ligjeve për armët, Presidenti Trump njoftoi se ka rekomanduar ndalimin e pajisjeve që lejojnë armët gjysmë automatike të shkrehen qindra herë në minutë:

"Vetëm pak çaste më parë, nënshkrova një dokument që udhëzon Prokurorin e përgjithshëm të propozojë rregullore që ndalojnë të gjitha pajisjet, të cilat i kthejnë pushkët e ligjshme në mitralozë."

Duke folur në një ceremoni për të nderuar punonjësit e emergjencave, zoti Trump vuri në dukje se njeriu i armatosur që vrau 58 vetë dhe plagosi qindra të tjerë nga një dhomë hoteli në Las Vegas në tetor, përdori pikërisht mekanizma të tilla, për t’i bërë pushkët e tij më vdekjeprurëse.

Presidenti tha se siguria e shkollave është një përparësi kryesore për administratën e tij dhe premtoi masa më të forta:

"Duhet të heqim dorë nga klishetë dhe debatet e vjetëruara e të përqendrohemi te zgjidhjet e bazuara mbi prova dhe tek masa sigurie që funksionojnë".

Shtëpia e Bardhë tha se kjo u shërben takimeve që Presidenti Trump po bën me nxënësit, prindërit, mësuesit, zyrtarët e zbatimit të ligjit dhe guvernatorët e shteteve, pra për të dëgjuar mendimet e tyre se si të forcohet siguria në shkolla.

"Për fat të keq, kur ndodhin tragjedi të tmerrshme si kjo, të gjithë dëshirojnë një përgjigje të shpejtë dhe të thjeshtë, por një e tillë nuk ekziston", tha Sarah Huckabee Sanders, Sekretare e Shtypit.

Pas çdo incidenti me armë në shkolla, gjithnjë ka patur debate politike pa bukë, duke filluar që nga rasti i parë në shkollën Columbine të Kolorados në vitin 1999.

Nxënësit e Floridës që përjetuan pamjet e tmerrshme të së mërkurës thonë se janë të vendosur të luftojnë derisa të shikojnë rezultate.

Edhe pse viktimat ende nuk janë varrosur, nxënësit e Floridës kanë filluar të organizohen në një lëvizje mbarëkombëtare kundër kulturës së armëve. Ata janë veçanërisht në shënjestër të udhëheqësve politikë që pranojnë donacione nga Shoqata Kombëtare e Armëve, një lob i fuqishëm që bllokon çdo lëvizje për të kufizuar shitjet e armëve.

Një grup prej rreth 100 nxënësish dhe prindërish të Floridës u drejtuan të martën për në kryeqytetin e Floridës, Tallahassee për të kërkuar ligje më të rrepta për armët.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG