Lidhje

Presidenti Trump fillon vizitën në Francë

  • Luis Ramirez

Presidenti Donald Trump dhe presidenti francez Emmanuel Macron u takuan të enjten në Paris për t'u përqëndruar në çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes, ku ata mendojnë se mund të shtyjnë përpara marrëdhëniet mes dy vendeve.

Pak përpara se të fillonin bisedimet, Presidenti Macron tha se është "e natyrshme dhe e domosdoshme" për të patur shkëmbime me zotin Trump, motoja politike e të cilit, "Amerika e para" i ka shqetësuar disa aleatë të rëndësishëm evropianë.

Zoti Macron i bëri komentet sot në një konferencë shtypi pas një takimi me kancelaren gjermane Angela Merkel e cila, ashtu si presidenti francez ka shprehur zhgënjim ndaj vendimit të zotit Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja globale për të luftuar ndryshimet klimatike.

Zonja Merkel tha se dallimet me Shtetet e Bashkuara janë për të ardhur keq, por komunikimi vazhdon.

Presidenti Trump arriti në kryeqytetin francez pas një fluturimi gjatë natës nga Uashingtoni për një vizitë të shpejtë 36 orëshe, për të diskutuar me udhëheqësin francez mbi zgjidhjet e mundshme të krizës në Siri dhe mbi strategjitë më të gjera kundër terrorizmit.

Presidenti dhe zonja e parë Melania Trump u përshëndetën nga zoti Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte, në Les Invalides, vendvarrimi i Napoleonit.

Presidenti amerikan do të marrë pjesë të premten në festimet e Ditës së Bastijës dhe në ceremonitë me rastin e 100 vjetorit të hyrjes së SHBA në Luftën e Parë Botërore.

VIZITA E PRESIDENTI TRUMP DHE MARRËDHËNIET ME FRANCËN

Në festimet me rastin e Ditës së Bastijës, trupat amerikane do të marshojnë së bashku me ato franceze në bulevardin e famshëm Champs Élysées. Sot, një ditë para festimeve, presidenti amerikan po takohet me homologun francez Emmanuel Macron, në përpjekje për të gjetur një gjuhë të përbashkët për çështje si Siria dhe lufta kundër terrorizmit.

Ishte një shtrëngim duarsh në takimin e tyre në muajin maj, që u përhap me shpejtësi virale në mediat sociale – një udhëheqës i ri francez, i cili jepte mesazhin se Franca do t’i rezistonte Presidentit Trump dhe politikës së tij “Amerika e Para”.

Analistët thanë paraprakisht se takimi i tyre i dytë, do të ishte në pjesën më të madhe të kohës, i sjellshëm.

"Takimi i tyre ka për të qenë edhe i vështirë, ngaqë francezët jo vetëm që kanë zgjedhur një presisdent, i cili është thuajse antiteza e zotit Trump, por ekziston edhe një lloj armiqësie tek francezët për faktin se administrata Trump tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.”- thotë analisti.

Franca punoi shumë për organizimin e takimit të vitit 2015 për ndryshimet klimatike dhe e konsideron marrëveshjen si një arritje të madhe.

“Fakti që Presidenti i ri amerikan u tërhoq nga marrëveshja, ka për të qenë një çështje delikate dhe objekt tensioni në diskutime, pavarësisht se ata kanë për t’u përpjekur ta fshehin atë në sytë e publikut; është më se sigurtë që në diskutimet private udhëheqësit francezë kanë për të bërë gjithshka të mundur për të gjetur një lloj zgjidhjeje për këtë çështje.”- thotë analisti.

Një tjetër çështje delikate është marrëdhënia e zotit Trump me Presidentin rus Vladimir Putin, që u shfaq në takimin e tyre maratonë të premten, në punimet e G-20-ës. Franca, sikurse edhe pjesa tjetër e Europës Perëndimore, e ndoqi atë me nervozizëm.

“Nuk ka asgjë substanciale për t’u shqetësuar për këtë, por vetë procesi, gjuha e përdorur, mënyra se si ai është aq i gatshëm të përdorë një gjuhë të ashpër ndaj aleatëve dhe hezitimi për të përdorur të njëjtën gjuhë ndaj Rusisë, i bën njerëzit të mendojnë, nëse do të ketë në muajt e ardhshëm një nismë amerikane për Sirinë, Rusinë, apo Ukrainën; ose nëse është rënë dakord me Kremlinin para se të diskutohet me Parisin, Berlinin apo edhe me Londrën...”- thotë analisti britanik Malcolm Chalmers.

Ky është udhëtimi i tretë përtej Oqeanit dhe në Evropë i zotit Trump, që kur ai filloi mandatin e Presidentit në janar të këtij viti.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG