Lidhje

Presidenti Trump sulmon kritikët e Prokurorit Whitaker


Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Matthew Whitaker

Presidenti amerikan Donald Trump thotë se nuk do të ndërhyjë nëse Prokurori i tij i Përgjithshëm në detyrë, Matthew Whitaker i vë kufizime hetimit për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara. Demokratët në Kongres janë të vendosur të mbrojnë punën e prokurorit të posaçëm, Robert Mueller për aq kohë sa është e nevojshme për të përcaktuar nëse ka patur bashkëpunim midis fushatës zgjedhore të zotit Trump dhe Rusisë. Kjo do të bëhet më e lehtë në janar, kur të fillojë punën kongres i ri, i dominuar nga demokratët. Presidenti ka mundësi të takohet me opozitën demokrate nëse vendos ta emërojë zotin Matthew Whitaker në positn e Prokurorit të Përgjithshëm.

Presidenti Trump vazhdimisht ka bërë thirrje për përfundimin e hetimit që ai e quan gjueti shtrigash. Pas zgjedhjeve të Kongresit, ai shkarkoi menjëherë Prokurorin e Përgjithshëm, Jeff Sessions, i cili ishte tërhequr nga hetimi, duke e zëvendësuar atë me zotin Matthew Whitaker, një zyrtar i Departamentit të Drejtësisë i cili në të kaluarën e ka ka kritikuar hetimin. Shqetësimi se Presidenti Trump mund ta përdorë zotin Whitaker për t'i dhënë fund hetimit nxiti protesta në disa qytete amerikane. Demokratët kanë premtuar se do të kundërshtojnë përpjekjet e tilla.

"Ne do të zbardhim çdo përfshirje që ai ka në këtë çështje. Ai duhet ta dijë se nëse zoti Matt Whitaker ndërmerr ndonjë veprim për të kufizuar punën e prokurorit Mueller, ne do ta zbulojmë atë. Dhe unë tani do t’i bëja thirrje kolegëve të mi që të ndërmarrin masa për të shmangur një krizë kushtetuese, të flasin kundër këtij emërimi".

Edhe disa republikanë e pranojnë se konfirmimi i me bazë të përhershme i zotit Whitaker në postin e Prokurorit të Përgjithshëm, mund të jetë i vështirë.

"Ai ka thënë disa gjëra që ndoshta mund të jenë problematike për konfirmimin e tij, megjithatë unë kam qenë shumë i impresionuar me qëndrimin e tij, profesionalizmin e tij dhe ai ka një rezyme shumë të mirë".

Mbështetësit thonë se zoti Whitaker është i kualifikuar për këtë post dhe se në fund të fundit është e drejta e Presidentit për të zgjedhur kreun e Departamentit të Drejtësisë. Megjithatë, senatorët republikanë i kërkuan të dielën Presidentit Trump që të merrte shpejt një vendim për këtë çështje.

"Presidenti duhet të vendos sa më shpejt që të jetë e mundur se kush do të jetë Prokuror i Përgjithshëm në masë të përhershme", tha Roy Blunt, senator republikan nga Mizuri.

Trump thotë se ai nuk do të ndërhyjë në punën e zotit Whitaker, edhe nëse Whitaker do të vendoste të kufizonte hetimin e prokurorit Mueller. Në një shkrim në Twitter të dielën, ai hodhi poshtë me zemërim thirrjet e ligjvënësit të Kalifornisë Adam Schiff, duke vënë në dukje se zoti Whitaker nuk është miratuar nga Senati. Deri më tani, hetimi ka çuar në ngritjen e padive ndaj disa ndihmësve të ngushtë të fushatës së zotit Trump, por nuk ka prodhuar asnjë dëshmi rreth bashkëpunimit të fushatës së zotit Trump me Rusinë. Presidenti Trump tha se i është përgjigjur me shkrim pyetjeve të prokurorit të posaçëm, por nuk planifikon të ulet me të për një intervistë të drejtpërdrejtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG