Lidhje

Përkrahësit e Presidentit Trump, entuziastë për politikat për imigracionin


Dr. Kelli Ward, përkrahëse e Presidentit Trump
Dr. Kelli Ward, përkrahëse e Presidentit Trump

Politikat e administratës së re amerikane për sigurinë e kufijve, apo imigracionin e paligjshëm janë përcjellë me aprovim entuziast nga përkrahësit e Presidentit Donald Trump të cilët kërkojnë një qëndrim konservator ndaj këtyre çështjeve. Në vende si Feniks i Arizonës, mbështetja për Presidentin Trump mbetet e fortë.

Mardi Benedict është menaxhere në një klinikë mjekësore në Fort Mohave të shtetit Arizona, ku bashkëshorti i saj, Richard, është mjek obstetër dhe gjinekolog. Ajo është aktiviste koservatore dhe thotë se ri-imbursimet nën ligjin për kujdes shëndetësor të Presidentit Obama e bëjnë thuajse të pavlerë punën e të shoqit:

Mardi Benedict, përkrahëse e presidentit Trump.

“Më dolën lotë emocioni gjatë inaugurimit, lotë gëzimi sepse më parë kemi nxjerrë lotë trishtimi”.

Mjekja Kelli Ward është një tjetër përkrahëse e zotit Trump.

Ajo po zhvillon fushatë për t’u zgjedhur në Senat. Në 2016 ajo humbi garën kundër senatorit aktual John McCain, por tani po konkurron kundër senatorit tjetër të Arizonës, republikanit Jeff Flake. Sipas zonjës Ward, as McCain, as Flake nuk janë politikanë konservatorë ose përkrahës të vërtetë të Presidentit Trump.

“I kam parë pasojat në kujdesin shëndetësor, në sistemin e arsimit. Imigracioni ndikon në infrastructure, ndikon në çdo aspekt të shoqërisë” thotë ajo”.

Frank Lister nga Feniks, përkrahës i zonjës Ward dhe i Presidentit Trump, u angazhua në aktivizëm politik si rrjedhojë e besimit të tij si katolik dhe kundërshtimit ndaj të drejtës për abort.

“Më ka irrituar fakti që zgjedhim njerëz të na përfaqësojnë në Uashington dhe ata nuk bëjnë asgjë. Ata duhet të luftojnë për parimet tona”.

Këta përkrahës të zotit Trump thonë se protestat që u zhvilluan në aeroporte kundër urdhrit të tij ekzekutiv për të bllokuar udhëtarë nga shtatë vende e kapërcenin lirinë e fjalës dhe futeshin në akte anarkie.

Por mjeku Michal Ward, bashkëshorti i zonjës Kelli Ward, megjithëse është përkrahës i zotit Trump, thotë se konservatorët e kanë gabim nëse bien dakord me presidentin në çdo gjë që ai bën.

“Do të preferoja që urdhri për të ndalur futjen e udhëtarëve nga këto shtatë vende të ishte prezantuar pak më ndryshe. E mbështes idenë e tij, besoj se po vepron brenda kushtetutës. Por shqetësohem se mund të shkelë autoritetin ekzekutiv; aty duhet ta ndalim”.

Kelli Ward thotë se zoti Trump si biznesmen, po bën atë që kërkohet:

“Ai di si ta marrë situatën në dorë, pas tetë vjet të administratës Obama, duhej që dikush të vinte dhe të bënte një riorganizim”.

Për këtë arsye, beson ajo, Presidenti Trump gëzon mbështetje të fortë në Arizona dhe në gjithë zonat jug-perëndimore.

XS
SM
MD
LG