Presidenti Donald Trump e bëri të qartë dje se do të këmbëngulë për ndryshimin e sistemit të lejeve të përhershme të qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, të ashtuquajturat karta jeshile, do të punësojë 10 mijë zyrtarë të rinj të emigracionit, si dhe do të ndërtojë një mur përgjatë kufirit jugor të vendit. Ai i parashtroi këto si kushte për arritjen e një marrëveshjeje me demokratët për statusin e të ashtuquajturve “ëndërrimtarët”, personat që kanë ardhur ilegalisht në Shtetet e Bashkuara në moshë të mitur.
Muajin e kaluar, Presidenti Trump njoftoi se synon t’i japë fund programit DACA të periudhës së ish-Presidentit Obama që mbron qindra mijëra të rinj që u sollën ilegalisht në Shtetet e Bashkuara kur ishin fëmijë.
Kërkesa e Presidentit për ndërtimin e një muri kufitar ishte ndër pjesët kyçe të suksesit të fushatës së tij për në Shtëpinë e Bardhë dhe ai e përsëriti këtë kërkesë muajin e kaluar kur mohoi se pati arritur një marrëveshje me udhëheqësit demokratë për këtë çështje.
“Po punojmë për një plan për programin DACA, që do të shoqërohet gjithashtu me një sistem kontrolli masiv të kufijve. Njerëzit duan që kjo të ndodhë. Kemi 800 mijë të rinj që janë sjellë këtu, jo për fajin e tyre, kështu që do të punojmë për një zgjidhje”, - deklaroi Presidenti Trump.
Objektivat e Presidentit Trump për politikat e emigracionit synojnë edhe kufizimin e dhënies së kartave jeshile të afërmve të shtetasve amerikanë dhe atyre me qëndrim të përhershëm, si dhe për krijimin e një sistemi pikësh.
Por, demokratët kundërshtojnë me forcë shumë prej këtyre objektivave.
Gjatë një deklarate të përbashkët, udhëheqësja demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe ai në Senat Chuck Schumer thanë se këto kërkesa “shkojnë shumë përtej të arsyeshmes”.
Por, Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions nuk është dakort. Në një deklaratë të fortë të qarkulluar dje, zoti Sessions tha se kërkesat e Presidentit Trump “janë propozime të arsyeshme” dhe se “ato do të rezultojnë në një sistem emigracioni me integritet, për të cilin do të krenohemi”.
Presidenti Trump i ka dhënë Kongresit gjashtë muaj kohë për të hartuar një projektligj që do t’i mbronte “ëndërrimtarët” nga deportimi.
Facebook Forum