Lidhje

Presidenti Trump vlerëson Meksikën, administratën për frenimin e imigrantëve të paligjshëm


Presidenti Donald Trump, vlerësoi sistemin juridik meksikan për shpërndarjen pjesërisht të një karvani emigrantësh të Amerikës Qendrore, që udhëton drejt kufirit amerikan. Ai vlerësoi gjithashtu administratën e tij për rënien dramatike të numrit të emigrantëve që kalojnë kufirin jugperëndimor. Shtëpia e Bardhë njoftoi të mërkurën se në kufirin e SHBA me Meksikën është thirrur Garda Kombëtare, një ditë pasi Presidenti Trump bëri kritika lidhur me karvanin e emigrantëve. Ndërkohë Presidenti ka shtuar thirrjet drejtuar Kongresit për të mbyllur të çarat në ligjet amerikane të imigracionit.

“Mbyllje e të çarave”, kështu i përshkruan Shtëpia e Bardhë përpjekjet e reja të sigurisë kufitare që do të fillojnë menjëherë.

"Presidenti ka udhëzuar Gardën Kombëtare të shkojë në kufi", tha Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristjen Nielsen.

Kjo vjen vetëm një ditë pasi Presidenti Trump kritikoi në Twitter një karvan emigrantësh të Amerikës Qendrore, që organizohet çdo vit nga organizata joqeveritare Njerëz pa Kufij. Shumë prej tyre aplikojnë për strehim në SHBA ose hyjnë në mënyrë të paligjshme.

"I vetmi që ka fuqinë t'i ndalë këta njerëz është Zoti, zoti Trump mund të dërgojë ushtri, por nëse është vullneti i Zotit për të vazhduar atëherë ne do ta vazhdojmë marshimin e karvanit," thotë emigranti nga Hondurasi, Gustavo Sanchez.

Ndonëse vetëm një pjesë e 1200 emigrantëve mund të arrijnë kufirin e SHBA muajin e ardhshëm, mbështetësit e politikës për një kufi më të fortë janë të shqetësuar se përpjekjet për të hyrë në Shtetet e Bashkuara mund të inkurajojnë të tjerë.

"Duhet një përgjigje e fortë, përndryshe inkurajohen ata njerëz që ende nuk i janë bashkuar karvanit”, thotë eksperti Mark Krikorian i Qendrës për Çështjet e Imigracionit.

Kongresi ka miratuar vetëm një pjesë të vogël të parave që duhen për të ndërtuar murin kufitar prej 1,600 kilometrash, prandaj Presidenti po kërkon alternativa.

"Derisa të kemi një mur dhe sigurinë e duhur, ne do ta ruajmë kufirin me anë të ushtrisë", thotë Presidenti Trump.

Zoti Trump do të jetë Presidenti i tretë amerikan që dërgon Gardën Kombëtare në kufi këto vitet e fundit. Megjithatë, edhe ky hap ka kufizimet e veta.

"Ushtria nuk lejohet të marrë pjesë në çdo lloj veprimtarie të brendshme për zbatimin e ligjit. Garda Kombëtare trajtohet paksa ndryshe, por edhe asaj, statutet ia ndalojnë të angazhohet në patrullime kufitare", thotë David Bier i Institutit Cato.

Për të mbyllur të çarat që ai sheh në ligjet e emigracionit, duke përfshirë lirimin e atyre që kapen, zoti Trump do të duhet të bindë Kongresin.

"Ai nuk do që emigrantët e ardhur të shkrihen në komunitet gjatë kohës që ata presin vendimin e gjykatës. Por për këtë duhen më shumë shtretër dhe më shumë qendra paraburgimi", thotë eksperti Andrew Seele.

... Gjithashtu, nuk ka gjasa të shfuqizohen ligjet e anti-trafikimit të cilat synojnë mbrojtjen e fëmijëve që kërkojnë azil.

"Në Kongres ka ende një sens të fortë se fëmijëve dhe të rinjve duhet t'u jepet mbrojtje më e madhe dhe se nuk do të ishte me vend që ata të presin nëpër burgje derisa gjykata të shqyrtojë rastin e tyre”, thotë zoti Seele.

Kongresi kthehet në punë javën e ardhshme, por miratimi i ndonjë ligji të emigracionit do të jetë i vështirë, pasi ligjvënësit tani e kanë mendjen te zgjedhjet e mesmandatit.

XS
SM
MD
LG