Lidhje

Trump: ne kemi për ta bashkuar vendin


Presidenti i zgjedhur Donald Trump pranoi sot se ai ka për ta marrë drejtimin e vendit, në kushtet kur amerikanët janë të ndarë politikisht, por i hodhi poshtë thëniet se ai ka kontriubuar në këtë ndarje.

Në një intervistë që ai dha për rrjetin televiziv NBC, pas njoftimit se revista “Time” e kishte cilësuar atë “Njeriun e vitit” dhe si udhëheqësin e zgjedhur të “Shteteve të Përçara të Amerikës”, Trump tha:

"Ekzison një përçarje e madhe, por ne kemi për ta bashkuar vendin. Ne do t’ja shërojmë plagët, kemi për t’u bërë një forcë e madhe ekonomike dhe do të forcojmë ushtrinë dhe masat e sigurisë në vend. Kemi për të bërë gjëra të mëdha,”- tha zoti Trump.

Miliarderi Donald Trump, një manjat i pasurive të patundshme, që u bë politikan republikan, i fitoi zgjedhjet presidenciale, pasi siguroi shumicën e votave të kolegjit elektoral, që bazohen tek rezultati i zgjedhjeve në 50 shtete amerikane dhe kryeqyteti Washington, edhe pse rivalja e tij, demokratja Hillary Clinton, fitoi votën popullore, duke siguruar rreth 2.7 millionë vota më tepër se zoti Trump.

Donald Trump tha në intervistë se ekziston një ndjenjë pëlqimi i dyanshëm mes tij dhe Presidentit demokrat Barack Obama, të cilit ai do t’i zerë vendin më 20 janar; zoti Obama e mbështeti me forcë zonjën Clinton gjatë fushatës elektorale dhe e cilësoi zotin Trump si një njeri të papërshtatshëm për t’u bërë president.

Trump tha se e pëlqen Barak Obamën, edhe pse ata nuk janë dakord për një numër politikash. Ai shtoi se në takimin që patën dhe në disa biseda telefonike, ata kishin patur një dialog shumë të mirë dhe se i merr shumë seriozisht rekomandimet e zotti Obama.

Donald Trump shprehu në intervistën me NBC News disa mendime të tij për çështje të ndryshme.

Gjatë fushatës elektorale ai kritikoi disa marrëveshje tregtare të Shteteve të Bashkuara, se ato ishin në dëm të punonjësve amerikanë, por në intervistë ai tha se “beson tek tregtia e lirë, por jo tek tregtia e pazgjuar. Politikat e mija tregtare kanë për të qenë të shkëlqyera”, - tha ai.

Në fillim të javës, zoti Trump kërkoi vënien e një takse prej 35 për qind ndaj prodhimeve të kompanive që janë zhvendosur jashtë Shteteve të Bashkuara për në vende të tjera, ku krahu i punës është më i lirë dhe që përpiqen t’i sheshin prodhimet e tyre në tregun amerikan.

Trump tha se i pëlqen shumë komunikimi thuajse i përditshëm me publikun amerikan përmes Twitterit. Ai shtoi se ka 40 milionë pasues në Twitter dhe në Facebook, duke i cilësuar këto forma komunikimi “si forma moderne të komunikimit”. Ai tha se në këtë mënyrë ai i transmeton mesazhet e tij më shpejt se sa përmes konferencave të shtypit dhe se mund t’i paraqesë mendimet e tij “më me ndershmëri se sa ato që jepen nga gazetarë të pandershëm.”

XS
SM
MD
LG