Lidhje

Trump Jr. u përgjigjet pyetjeve të grupit hetimor të Kongresit


Grupi hetimor i Kongresit amerikan mori në pyetje për disa orë rresht djalin e Presidentit Trump, Donald Trump Jr, për të mësuar nëse rusët kanë ndërhyrë në fushatën presidenciale të babait të tij vitin e kaluar. Zoti Trump Jr. po ashtu u pyet për takimin e tij me një avokate me lidhje me Kremlinin, e cila qëllimisht do t’u dorëzonte atyre “informacione të dëmshme” për rivalen demokrate Hillary Clinton.

Siç njofton gazeta New York Times, Trump Junior u tha hetuesve se ai e kishte planifikuar takimin e qershorit të vitit të kaluar, ngaqë i ishte dukur interesante idea se juristja mund të kishte “informacione lidhur me aftësinë, karakterin dhe kualifikimet” e zonjës Clinton.

Një anëtar i komisonit tha se zoti Trump Jr. do të merret përsëri në pyetje.

"Ai duhet të vijë para komisionit juridik në publik, nën betim, për t’iu përgjigjur shumë prej të njëjtave pyetje, ngaqë sot ai ngriti pikëpyetje të reja me përgjigjet që dha,”- tha senatori Richard Blumenthal.

Gazeta shkruante se djali i madh i Presidentit Donald Trump, u tha hetuesve se nga takimi me juristen nuk doli asgjë e veçantë dhe se ai nuk kishte bashkëpunuar asnjëherë me rusët për të ndërhyrë tek zgjedhjet amerikane të cilat i fitoi babai i tij. Zoti Trump ka mohuar vazhdimisht se ka bashkëpunuar me rusët në interes të tyre gjatë fushatës.

Hetimet e ndryshme që po bëhen për këtë çështje, përfshirë atë të këshilltarit të posaçëm Mueller, pritet të zgjasin për muaj të tërë, duke hedhur hije mbi muajt e parë të presidencës së Donald Trumpit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG