Lidhje

Senati nxiton të konfirmojë të emëruarit e zotit Trump


Pak ditë përpara betimit të Presidentit të ri Donald Trump, Senati me shumicë republikane po punon me ritëm të shpejtë për të konfirmuar të emëruarit që do të jenë pjesë e rrethit të brendshëm të administratës së re.

Uashingtoni po përgatitet për t’i dhënë lamtumirën një Presidenti dhe të mirëpresë një President të ri ndërsa nuk dihet se sa prej anëtarëve të kabinetit Trump do të jenë të konfirmuar në detyrë, përpara se ai të hyjë në Shtëpinë e Bardhë. Ligjvënës kryesorë republikanë kanë shqetësime për lidhjet me Rusinë e të të emëruarit për Sekretar Shteti, Rex Tillerson.

“A mendoni se Vladimir Putin dhe shpura e tij janë urdhëruesit e vrasjeve të panumërta të disidentëve, gazetarëve dhe kundërshtarëve politikë?” pyeti Senatori Marco Rubio.

“Nuk disponoj informacion të mjaftueshëm për të deklaruar një gjë të tillë”, u përgjigj zoti Tillerson.

“Këto nuk janë të klasifikuara. Ata njerëz kanë vdekur”, shtoi Senatori Rubio.

Republikanët kanë një anëtar më shumë në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit. Ndërsa pritet që të gjithë anëtarët demokratë të kundërshtojnë zotin Tillerson, emërimi i tij mund të bllokohet nëse vetëm një republikan voton kundër.

“Nëse duam të kemi qartësi morale në politikën tonë të jashtme, atëherë duhet të jemi të qartë. Jam gati të bëj gjënë e duhur dhe jo nga pikëpamja partiake,” deklaroi Senatori republikan Marco Rubio.

Të emëruar të tjerë mund të konfirmohen në ditët në vazhdim, pas dëgjesave të trazuara. Disa demokratë kanë shpallur kundërshtitë ndaj emërimit për Prokuror të Përgjithshëm të Senatorit republikan Jeff Sessions.​

“Nëse konfirmohet Senatori Sessions, jam thellësisht e shqetësuar për fatin e njerëzve me paaftësi fizike, me origjina të ndryshme racore, apo orientime të ndryshme seksuale”, deklaroi Senatorja demokrate Tammy Duckworth.

Por, duket se zoti Sessions do të konfirmohet nëse republikanët vazhdojnë ta mbështesin.

“Ai është një njeri me nder dhe integritet, i përkushtuar ndaj zbatimit besnik dhe të drejtë të ligjit”, tha Senatori republikan Chuck Grassley.

Disa të emëruar pritet të konfirmohen me mbështetje dypartiake, si p.sh. i emëruari për Sekretar Mbrojtjeje, Gjenerali James Mattis.

“Janë duke u zvogëluar hapësirat për bashkëpunim, ndërsa po shtohen fushat ku do të na duhet të përballemi me Rusinë”, deklaroi zoti Mattis.

Po kështu edhe i emëruari për drejtor i CIA-s, Ligjvënësi Mike Pompeo.

“Është e qartë se çfarë ndodhi, se si Rusia u përpoq të vidhte informacion dhe të ndikonte në demokracinë amerikane”, tha zoti Pompeo.

Ndërsa po përgatitet për të bërë betimin, zoti Trump po rrezaton vetëbesim për ekipin e tij.

“Na duhen njerëz të suksesshëm. Këta u bënë të tillë sepse janë të mençur. Jam shumë krenar për kabinetin. Mendoj se po ja dalin shumë mirë”, tha Presidenti i zgjedhur.

Gjatë kësaj jave, Senati do të mbizotërohet nga seancat e votimit për konfirmimet, ndërsa jashtë godinës së Kapitolit po bëhen rregullimet e fundit për inaugurimin.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG