Lidhje

Donald Trump dhe dokumentet për vrasjen e Presidentit Kennedy


Presidenti Donald Trump po shkon në Dallas në prag të afatit të hapjes së dokumentave të fundit sekrete që mund të hedhin më shumë dritë mbi momentin më të errët të qytetit të Teksasit.

Qëllimi i udhëtimit është dhe mbledhja e fondeve për republikanët e Teksasit, ku zyrtarët e partisë republikane presin të mbledhin rreth 4 milionë dollarë

Por udhëtimi përkon me një afat të caktuar nga Kongresi për publikimin e të gjitha materialeve që kanë të bëjnë me vrasjen e Presidentit John F. Kennedy pothuajse 54 vjet më parë. Sipas ligjit, Presidenti Trump ka autoritetin të vendosë se cilat dokumente sekrete mund të bëhen publike pas 26 tetorit. Ai ka sinjalizuar se do të lejonte hapjen e të gjitha dokumenteve.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders, konfirmoi për Zërin e Amerikës se Presidenti Trump do të mbajë fjalim në takimin për mbledhjen e fondeve, por nuk pranoi të thoshte nëse ai do të fliste edhe për publikimin e dokumenteve sekrete mbi vrasjen e ish-presidentit Kennedy. Një stacion televiziv lokal njoftoi se biletat për mbledhjen e fondeve kushtojnë rreth 2.700 dollarë dhe një fotografi me presidentin 35.000 dollarë.

Dokumentet që janë parashikuar të hapen të enjten, përfshijnë më shumë se pesë milionë faqe me të dhëna lidhur me vrasjen e ish-presidentit Kennedy më 22 nëntor të vitit 1963, në Dallas, duke përfshirë fotografi, regjistrime zanore, video dhe artefakte në zotërim të Arkivit Kombëtar. Por kjo është vetëm një pjesë e vogël e sasisë së dokumenteve që ruhen në Arkivin Kombëtar.

Zyrtarët thonë se 88 për qind e të dhënave kanë qenë plotësisht publike për dekada, 11 për qind janë në hapësira publike, por janë redaktuar për të zhdukur emrat dhe informacione të tjera të ndjeshme që tani do të zbulohen. Vetëm një për qind e të gjitha dokumenteve nuk është parë kurrë.

Gjykatësi John Tunheim, i cili kryesoi Bordin e Pavarur të Rishikimit të të Dhënave mbi Vrasjen, thotë se shumica e dosjeve ende të papublikuara janë vlerësuar si të parëndësishme për vrasjen. Tunheim parashikon se do të ketë shumë pak të reja në grumbullin e fundit të dokumenteve.

"Në të vërtetë nuk kishte shumë dokumente që në fund ne i lamë të mbyllura", tha Tunheim në një intervistë për Zërin e Amerikës. "Kështu që unë nuk mendoj se ky është një grumbull i madh të dhënash të vlefshme."

Studiuesit dhe ata që besojnë në teoritë e konspiracioneve duken më të etur për të parë dokumentet që kanë të bëjnë me kontaktet e vrasësit Lee Harvey Oswald me qeveritë e huaja, në veçanti një udhëtim që ai bëri në Qytetin e Mexico “Mexico City” disa javë para vrasjes, gjatë të cilit ai kishte vizituar ambasadat kubane dhe sovjetike.

Tunheim thotë se këto dosje u mbajtën sekrete sepse ato mund të zbulonin informacione të ndjeshme të inteligjencës mbi burimet dhe metodat e mbledhjes së tyre.

Tunheim, i cili aktualisht është Kryetari i Gjykatës së Distriktit të Minesotës, thotë se është e rëndësishme që publiku amerikan ta dijë se të gjitha informacionet që kanë të bëjnë me vrasjen e Kenedit janë publike, edhe në se përmes tyre mund të mësohen metodat që përdoreshin në atë kohë për të grumbulluar infoirmacionet e zbulimit.

Ai i tha Zërit të Amerikës se ai nuk beson se dalja e informacioneve do t’i japë fund ndonjëherë teorive të konspiracionit për vrasjen e Kenedit, që janë bërë tashmë pjesë e kulturës amerikane, saqë njerëzit e gjejnë të vështirë të besojnë se një 24 vjeçar mund ta ketë kryer i vetëm vrasjen, pa patur ndihmë.

“Pati shumë të meta në hetimet e para” thotë ai. “Po ashtu vrasja e shpejtë e Oswaldit i dha fund mundësisë për të mësuar më shumë se çfarë ndodhi”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG