Lidhje

Reagime kryesisht optimiste për marrëveshjen Trump - Kim


Udhëheqës botërorë nga Azia dhe vende të tjera të botës, shprehën kryesisht miratimin e tyre për marrëveshjen e arritur të martën mes Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësit koreanoverior Kim Jong Un, ai një shytje për mbylljen e programit të armëve bërthamore të Phenianit, edhe ndërsa Koreja e Jugut dhe të disa vende të tjera mbajtën një qëndrim më të matur.

Presidenti jugkorean Moon Jae-in tha se i kishte thënë Presidentit Trump në një bisedë telefonike se takimi i Singaporit ka “hedhur bazat” për paqen në Gadishullin Korean dhe në mbarë globin.

Por zyra e Presidentit në Seul tha se është ende duke u përpjekur ta kuptojë vendimin e zotit Trump për t’i dhënë fund manovrave ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, që prej një kohe të gjatë, ka qenë një çështje irrituese për Korenë e Veriut.

Trump njoftoi në një konferencë shtypi se do t’i jepet fund manovrave ushtarake dhe shtoi se kjo “do të kursente shumë para”. Por manovrat e përbashkëta mes Seulit dhe Uashingtonit nuk përmendeshin në deklaratën e nënshkruar nga Trump dhe Kim.

Raundi tjetër i manovrave janë planifikuar për në gusht, por Ministria e Mbrojtjes e Seulit tha se “Në këtë pikë ku ndodhemi, ështe e nevojshme të dallohet, synimi i saktë i komenteve të zotit Trump. Nuk ka patur diskutime me Uashingtonin lidhur me manovrat. Trump i cilësoi ato si “të papërshtatshme”, ndërsa Koreja e Veriut po përparon drejt çnuklearizimit.”

Ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi tha se, "SHBA dhe Koreja e Veriut kanë qenë në gjendje antagonizmi për më shumë se gjysëm shekulli. Sot që udhëheqësit më të lartë të të dy vendeve mund të ulen bashkë dhe të zhvillojnë bisedime të barabarta, kjo ka një kuptim të rëndësishëm dhe pozitiv dhe është duke krijuar një histori të re.”

Kryeministri japonez Shinzo Abe e mirëpriti miratimin nga Kim të përkushtimit për çnuklearizimin. Udhëheqësi japonez e falenderoi zotin Trump që ngriti çështjen e rrëmbimit nga Koreja e Veriut të shtetasve japonezë dhe shtoi se “Japonia do të merret me vendosmëri dhe ballë për ballë me Korenë e Veriut” për këtë çështje.

Ministria e Jashtme ruse tha se “normalizimi i marrëdhënieve të SHBA me Korenë e Veriut…është pjesë integrale e zgjidhjes së problemeve në Gadishullin Korean, përfshirë çështjen bërthamore”. Por Kryetari i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Lartë të Parlamentit rus, tha se pretendimi i zotit Trump se çnuklearizimin e Koresë së Veriut që do të fillojë së shpejti, është “më tepër një dëshirë, se sa një fakt.”

Shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europain Federica Mogherini, tha se "Ky takim ishte një hap tepër i rëndësishëm dhe i nevojshëm për zhvillimet pozitive në marrëdhëniet ndërkoreane”. Ajo tha se synimi përfundimtar mbetet i njëjtë: “çnuklearizimi i plotë, i verifikueshëm dhe i pakthyeshëm”. Ajo tha se deklarata e takimit “jep një sinjal të qartë, se ky synim mund të arrihet”.

Sekretari i Jashtëm britanik Boris Johnson e cilësoi takimin Trump-Kim "një hap të rëndësishëm përpara drejt stabilitetit të një rajoni jetik për rritjen ekonomike globale”.

Johnson tha se zotimi i zotit Kim për çnuklearizimin e Gadishullit Korean është një sinjal se ai më në fund e ka mbajtur parasysh se vetëm një ndryshim i kursit mund të sjellë një të ardhme të begatë për popullin e Koresë së Veriut. Mbetet ende punë për t’u bërë dhe ne shpresojmë që Kim t’i vazhdojë negociatat me vullnet të mirë drejt një çnuklearizimi të plotë, të verifikueshëm dhe të pakthyeshëm.”

Kreu i Agjencisë Bërthamore të Kombeve të Bashkuara, Yukiya Amano, tha se agjencia e tij “është e gatshme të marrë përsipër verifikimin e aktiviteteve të çnuklearizimit” në Korenë e Veriut, ndërsa regjimi i Kimit do ta ndalë programin e armëve bërthamore.

Irani duket se mbetet vendi i vetëm që e vuri në pikëpyetje besueshmërinë e marrëveshjes së nënshkruar nga Trump dhe Kim; zëdhënësi i Teheranit tha se Trump mund edhe ta anulojë marrëveshjen.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG