Ambasadori i Suedisë në OKB, Olof Skoog tha të premten se vendi i tij po përpiqet të zbusë tensionet në Gadishullin korean duke pritur për vizitë Ministrin e Jashtëm koreano-verior, një vizitë që disa analistë ndërkombëtarë mendojnë se mund të ndihmojë që t’i hapet rruga takimit mes udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut.
"Gjendja e sigurisë në gadishull është një nga çështjet më urgjente në botë në këtë moment dhe nëse Suedia ka mundësi të luajë një rol në zbutjen e gjendjes, do ta bëjë një gjë të tillë”, u tha ambasadori Skoog gazetarëve në Gjenevë.
Ministri Ri dhe kryeministri suedez Stefan Lofven u takuan shkurtimisht në Stokholm të premten por ambasadori Skoog dhe zëdhënësi i kryeministrit Lofven nuk thanë se çfarë diskutuan dy ushëheqësit.
Megjithatë, shtoi zoti Skoog, shpresat janë që bisedimet në Stokholm të ndihmojnë në “krijimin e një mjedisi pozitiv për një takim të tillë”. Ai nuk pranoi të përgjigjej kur u pyet nëse takimi do të mbahej në Suedi.
"Ne thjesht duam të ndihmojmë me zbutjen e tensioneve në gadishull”, tha ai.
Bisedimet në Stokholm pritet të rifillojnë të shtunën, megjithëse fillimisht ato ishin parashikuar të mbaronin të premten, sipas një burimi që e njeh situatën.
Presidenti amerikan Donald Trump e rikonfirmoi planin për t’u takuar në fund të majit me udhëhqësin koreano-verior Kim Jong Un për të negociuar programin bërthamor të Phenianit, siç tha Shtëpia e Bardhë të premten. Në një bisedë telefonike me Presidentin koreano-jugor Moon Jae-in, zoti Trump shprehu një "optimizëm të përmbajtur” për zhvillimet e fundit lidhur me Korenë e Veriut.
Shtëpia e Bardhë tha se dy udhëheqësit diskutuan përgatitjet për negociatat e tyre të ardhshme me Korenë e Veriut dhe ranë dakord se “masa konkrete” ishin jetike për eliminimin e armëve bërthamore në Gadishullin Korean. Por Koreja e Veriut nuk ka konfirmuar zyrtarisht se do të ketë një takim dhe nuk është caktuar ndonjë kohë dhe vend për mbajtjen e tij.
Disa media kanë spekulluar se vendi skandinav po përgatit terrenin për një takim të pritshëm mes udhëheqësve të Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut. Të tjerë kanë sugjeruar se Suedia që përfaqëson interesat amerikane përmes ambasadës së saj në Phenian, mund të jetë e përfshirë në bisedime që janë të lidhura me tre qytetarë amerikanë që po mbahen nga Veriu.
Facebook Forum