Lidhje

Pritshmëritë për takimin Trump-Kim


Presidenti amerikan, Donald Trump thotë se është optimist për takimin e nivelit të lartë që do të mbajë me udhëheqësin koreano-verior Kim Jong Un, lidhur me përpjekjet amerikane për t'i dhënë fund kërcënimit të arsenalit të armëve bërthamore të Phenianit. Zoti Trump shkruante në Twitter se të dyja palët presin të vazhdojë përparimi i shënuar në takimin e parë në Singapor.

Në një intervistë për CNN-in, sekretari i Shtetit, Mike Pompeo tha se "nuk ka ndryshim" në sanksionet ekonomike ndaj Koresë së Veriut, derisa të bjerë dakord për "çnuklearizim të plotë dhe të verifikuar".

Vetë Kim Jong Un po shkon në Vietnam me tren për takimin e dytë të nivelit të lartë me Presidentin amerikan Donald Trump.

Treni me të cilin ai po udhëton u pa të shtunën në mbrëmje të kalonte përmes Kinës dhe media tha se kishte vazhduar për në jug, duke i dhënë fund spekullimeve se ai mund të ndalonte në Pekin para se të shkonte në Hanoi.

Arritja më e madhe e takimit të parë mes Presidentit Trump dhe udhëheqësit koreano-verior, Kim Jong Un ishte ndoshta fakti që pati një takim të tillë. Por kur dy udhëheqësit të takohen përsëri javën e ardhshme, këtë radhë pritet më shumë. Korrespodenti i Zërit të Amerikës Bill Gallo na njeh me pritshmëritë që ka zgjuar takimi i ardhshëm Trump-Kim në Vjetnam:

Vitin e kaluar, Presidenti Trump dhe udhëheqësi Kim ranë dakord në Singapor të punojnë drejt “çmilitarizimit të plotë bërthamor të Gadishullit Korean”.

Tani prej tyre pritet që në Vjetnam të sqarojnë se çfarë përfshin ky synim dhe si do të realizohet.

“Mendoj se të dyja palët janë nën presion për të arritur një përfundim konkret, ndryshe nga takimi i parë. Përndryshe ky takim do të shikohet si i dështuar dhe do të duhet të fillojmë përsëri nga e para,” thotë analisti Robert Manning.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë nga Koreja e Veriut të ndërmarrë një hap konkret drejt çarmatosjes bërthamore, për shembull duke shkatërruar një objekt të rëndësishëm bërthamor... ose duke paraqitur një listë të stoqeve bërthamore dhe inventarit të raketave.

Koreja e Veriut kërkon nga Uashingtoni heqjen e sanksioneve, ose përfundimin në formë zyrtare të Luftës së Koresë.

Por rezultati më pozitiv do të ishte një marrëveshje për t’ia kaluar procesin shkencëtarëve dhe teknokratëve qeveritarë.

“Dy udhëheqësit nuk mund të zgjidhin vetë çdo gjë. Nuk mendoj se kanë përgatitjen e plotë e të duhur që nevojitet për të zgjidhur tema të tilla komplekse. Procesi duhet të vazhdohet nga shkencëtarë dhe ekspertë teknikë,” thotë analisti James McKeon.

Ka shenja se takimi i Vjetnamit do të jetë më produktiv se ai i Singaporit. Në përgatitje për këtë takim zyrtarët amerikanë kanë zhvilluar më shumë bisedime në grupe pune me homologët koreano-veriorë.

Ndërkaq në Vjetnam dy palët do të zhvillojnë dy ditë takime, në vend të një dite të vetme, në mënyrë që të arrijnë përparim konkret për një marrëveshje bërthamore.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG