Lidhje

Trump: Sigurimi Shëndetësor për të gjithë, pothuajse gati


Presidenti i zgjedhur amerikan Donald Trump thotë se plani i tij për të zëvendësuar programin shëndetësor të presidentit Obama është formuluar deri në hollësitë më të vogla dhe do të paraqitet së shpejti.

Në një intervistë me gazetën Uashington Post, zoti Trump thotë se qëllimi i tij është krijimi i një sigurimi shëndetësor për të gjithë, por nuk pranoi të japë hollësi.

Në intervistë zoti Trump thekson se ulja e kostos së shërbimit shëndetësor mund të arrihet nëpërmjet trysnisë publike ndaj kompanive farmaceutike për të ulur çmimet e barnave.

Shfuqizimi i Aktit të Kujdesit të Përballueshëm Shëndetësor, i njohur gjithashtu si Obamacare, është përparësi kryesore që në fillim të mandatit të zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë. Programi shëndetësor u miratua nga Kongresi në vitin 2010, kur demokratët ishin në kontroll. Por tani republikanët kanë shumicën në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, dhe me zotin Trump si president, ata mund të marrin masa për të reformuar sistemin shëndetësor.

Javën e kaluar, Kongresi miratoi hapat e para drejt shfuqizimit të Aktit të Kujdesit të Përballueshëm Shëndetësor, edhe pse republikanët nuk kanë paraqitur një plan të qartë për të zëvendësuar programin Obamacare, i cili u dha sigurime shëndetësore më shumë se 20 milionë amerikanëve.

XS
SM
MD
LG