Lidhje

Presidenti Trump tërheq SHBA-në nga marrëveshja TPP


Në fillim të javës së parë si Presidenti i SHBA, Donald Trump nënshkroi tre urdhëra ekzekutivë.

Së pari, ai nënshkroi urdhërin që i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja tregtare e Partneritetit të Trans-Paqësorit, TPP, ku përfshihen 12 vende. Në komentet e tij nga Shtëpia e Bardhë, ai e cilësoi urdhërin “diçka shumë të rëndësishme për punonjësin amerikan”.

Së dyti, presidenti i ri, ashtu sikurse kanë vepruar edhe presidentë të tjerë republikanë, nënshkroi urdhërin që rivendos ndalimin e dhënies së fondeve qeveritare ndaj grupeve ndërkombëtare që kryejnë aborte dhe që sigurojnë informacione lidhur me këtë porcedurë.

Së treti, zoti Trump ngriu procesin e punësimit për agjencitë qeveritare, si mënyrë për shkurtimin e shpenzimeve qeveritare.

TPP, e nënshkruar në vitin 2009 nga Presidenti Obama, është marrëveshja më e madhe për tregtinë rajonale. Ajo nuk i miratua asnjëherë nga Kongresi. TPP mbulon 40 për qind të ekononomisë së botës dhe rreth një të tretën e tregtisë botërore.

Planet e zotit Trump përfshijnë gjithashtu urdhëra ekzekutivë që përfshijnë imigracionin dhe sigurinë kombëtare. Ai ka nënshkruar tashmë një urdhër që deklaron synimet e tij për të shfuqizuar menjëherë programin e kujdesit shëndetësor të nënshkruar nga zoti Obama.

Të hënën, Presidenti Donald Trump u takua me udhëheqës të biznesit. Ai i paralajmëroi ata se do të vendosë një taksë të konsiderueshme ndaj kompanive që i e eskportojnë prodhimin e tyre jashtë vendit dhe premtoi lehtësira fiskale ndaj atyre që i prodhojnë brenda vendit.

Shtëpia e Bardhë tha se zoti Trump do të diskutojë për imigracionin dhe reformimin e NAFTAs me presidentin e Meksikës Enrique Pena Nieto, më 31 janar. Ai ka në plan gjithashtu të takohet së shpejti me kryeministrin e Kanadasë Justin Trudeau.

XS
SM
MD
LG