Lidhje

Trump viziton Parisin, qytetin që e quajti “të rrezikshëm"


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i cili në të kaluarën e ka kritikuar Parisin si një qytet ku nuk ka siguri për shkak të sulmeve terroriste, do të jetë të enjten në kryeqytetin francez për të biseduar me homologun Emmanuel Macron rreth masave kundër terrorizmit, si dhe për të kujtuar 100 vjetorin e hyrjes në Luftën I Botërore to forcave të armatosura amerikane.

Një vit më parë, presidenti Trump e cilësoi Parisin si një vend “shumë shumë shumë të rrezikshëm dhe jashtë kontrollit”, siç u shpreh ai. Kohët e fundit, ai tha gjithashtu se sulmet e Shtetit Islamik ia kanë ulur vlerat si një pikë turistike për mbarë botën.

Pasi nxori Amerikën jashtë traktatit ndërkombëtar të Parisit të vitit 2015, për ngrohjen globale, presidenti Trump tha se ai ishte zgjedhur për të përfaqësuar “Pitsburgun, jo Parisin”.

Gjatë këtij udhëtimi dy ditor në Paris, presidenti Donald Trump ka planifikuar të takohet me të sapozgjedhurin Macron, të ketë një drekë me zyrtarë ushtarakë, të bëjë një tur në varrin e Napoleon Bonapartit dhe të premten të marrë pjesë në aktivitetet e Ditës së Bastijës, në festën më të madhe kombëtare të Francës.

Dy drejtuesit e shteteve do ta zhvillojnë takimin e tyre të enjten, përpara se të flasin me gazetarët.

"Do të flasim për të gjitha çështjet me interes për të dyja palët, përfshirë edhe temat për të cilat kemi mospërputhje; por kryesisht do të diskutojmë për çështjet ku po bashkëpunojmë, si kërcënimi nga terrorizmi, kriza në Siri e Libi, si dhe një sërë çështjesh të tjera me interes të përbashkët”, tha Macron, ndërkohë që edhe samiti i G20-ës do të jetë në qendër të bisedimeve dypalëshe.

Franca është pjesë e aleancës së drejtuar nga Shtetet e Bashkuara, e cila ka goditur nga ajri baza të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak që prej 2014-ës. Një numër i madh sulmesh këtë vit kanë qenë në Siri, ku militantët kanë kryeqytetin e tyre në qytetin e Rakës.

Trump dhe Macron janë të dy në vitin e parë të detyrës dhe kanë shfaqur ndryshime të mëdha në politikat e tyre kur vjen puna te qëndrimet dhe angazhimi për të luftuar ndryshimet klimatike. Por ata kanë edhe qëllime të tjera të përbashkëta, siç është reduktimi i numrit të punonjësve në administratën shtetërore.

Të premten, presdenti Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, do të marrin pjesë në parakalimin e përvitshëm në Bastijë, ku do të ketë si ushtarakë francezë, ashtu edhe amerikanë.

“Përfshirja jonë në Luftën e Parë Botërore përkrah francezëve është një shembull tjetër i asaj që po bëjmë sot”, deklaruan nga administrata Trump. “Ende jetojmë në një botë të rrezikshme, me shumë kërcënime”.

Zëdhënësi i qeverisë franceze, Christophe Castaner, tha: “Ndonjëherë presidenti Trump merr vendime me të cilat ne nuk jemi dakord, si ai për klimën, por ka dy mënyra se si ne mund të reagojmë; mund të themi “nuk do të të flasim më me gojë”, ose mund të të ndihmojmë të vish sërish në vete. Macroni, në mënyrë simbolike është duke i ofruar ndihmë presidentit Trump”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG