Presidenti Donald Trump mbërriti sot në Manila për të marrë pjesë në takimet ku janë mbledhur udhëheqës të vendeve të Azisë Juglindore.
Air Force One u ul në Manila pak pas orës 6 të pasdites, ndërsa rreth 3500 protestues u përpoqën të marshonin drejt ambasadës amerikane. Protestuesit thërrisnin për largimin e zotit Trump dhe akuzonin qeverinë amerikane se është në kërkim të luftërave të reja. Filipinet kanë qenë për 50 vjet koloni amerikane.
Kristine Cabardo, një protestuese 23-vjeçare thotë se “e dimë që Amerika ka hapur luftëra në mbarë botën dhe në të gjitha vendet e treta ku mundohen të ndërhyjnë. Imperializmi amerikan sjell vetëm luftë dhe shkatërrim”.
Një banderolë e një protestuesi shkruante “Poshtë Trump – Terrorist #1!”.
Mijëra policë bllokuan protestuesit, të cilët ishin organizuar kryesisht nga një parti e vogël e majtë, që t’i afroheshin ambasadës apo vendeve ku Presidenti Trump do të marrë pjesë në takime të organizuara nga ASEAN (Shoqata e Vendeve të Azisë Juglindore).
Protestuesja Cabardo thotë se “qeveria e Filipineve nuk i shërben popullit filipinas. Ushtria dhe policia kombëtare nuk janë në shërbim dhe në mbrojtje të popullit, por të status quo-së, të regjimit SHBA – Duterte, një regjim kukull”.
Përpara se të shkonte në Manila, Presidenti Trump u takua në Hanoi me Presidentin vietnamez Tran Dai Quang, dhe u tha gazetarëve gjatë konferencës të përbashkët për shtyp se Vietnami është shndërruar në tregut me rritjen më të shpejtë të eksporteve drejt Amerikës. Presidenti Trump shtoi se “patëm një diskutim të mirë për ardhjen e mallrave dhe shërbimeve amerikane në Vietnam. Është një rrugë me dy drejtime. Kam besim se energjia amerikane, bujqësia, shërbimet financiare, aviacioni, tregtia dixhitale, si dhe produktet e mbrojtjes do të përmbushin shumë nga kërkesat tuaja tregtare. Në fakt, ne jemi shumë më mirë se të gjithë të tjerët”.
Presidenti Trump gjithashtu përsëriti paralajmërimin se Korea e Veriut përfaqëson një kërcënim për stabilitetin në rajon. Gjatë takimit me homologun vietnamez, ai gjithashtu ofroi ndërmjetësimin e tij për mosmarrëveshjen për Detin e Kinës së Jugut.
Facebook Forum