Lidhje

OSBE, thirrje presidentit Trump të ndalë sulmet kundër medias


Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunim në Evropë i bëri thirrje presidentit amerikan Donald Trump të ndalë sulmet kundër shtypit, duke thënë se sulme të tilla "dëmtojnë" rolin thelbësor të medias në një demokraci.

Përfaqësuesi i OSBE-së për lirinë e shtypit, Harlem Desir, tha të hënën se komentet e zotit Trump mbi mediat janë "thellësisht problematike", duke shtuar se deklarata të tilla, veçanërisht ato që identifikojnë mediat si "armikun e popullit", mund t’i bëjnë gazetarët më të prekshëm nga dhuna.

Në një letër drejtuar Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson, zoti Desir shkruante: "I bëj thirrje administratës së Shteteve të Bashkuara të mos ndërmarrë sulme të tilla ndaj medias”.

Zoti Desir veçonte sidomos komentet e bëra nga zoti Trump javën e kaluar në Finiks të Arizonës, në të cilën presidenti akuzoi mediat se ishin "vërtet të pandershme", "të rreme" dhe "të shtrembëruara", se ato shpiknin ngjarje dhe thellonin ndarjet brenda vendit.

Përfaqësuesi i OSBE-së shkruante se këto komente janë "veçanërisht shqetësuese duke marrë parasysh qëndrimet e njohura të Shteteve të Bashkuara si një nga udhëheqësit botërorë në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe lirisë së shtypit". Ai tha se mediat luajnë një rol kyç në demokraci për t'i mbajtur qeveritë të përgjegjshme dhe për të ofruar një platformë për zëra të ndryshëm.

OSBE-ja me bazë në Vienë monitoron çështjet e sigurisë dhe zgjedhjeve në 57 shtetet anëtare të grupit, duke përfshirë Evropën, shumicën e Azisë qendrore, Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Trump ka popullarizuar përdorimin e termit "lajme të rreme" për të kritikuar mediat dhe gazetarët që ai pretendon se e trajtojnë atë padrejtësisht.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG