Lidhje

Trump, i revoltuar që është objekt i procesit hetimor


Megjithë këshillat e vazhdueshme të stafit të Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Donald Trump vazhdoi të komentojë rreth procesit hetimor për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane. Pasi Zv/Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein shprehu shqetësimin për raportimet e nxjerra në media, Presidenti Trump sulmoi rolin e tij si personi që vetë pati kërkuar shkarkimin e ish-drejtorit të FBI-së James Comey, dhe që ndërkohë është edhe zyrtari që emëroi prokurorin e posaçëm Robert Mueller, si dhe që ka në vazhdim përgjegjësinë e mbikqyrjes së procesit hetimor. Ndërsa nëpërmjet Twitter-it, Presidenti Trump konfirmoi për herë të parë se ai vetë është bërë objekt i hetimeve, demokratët shprehen të shqetësuar se ai mund të shkarkojë edhe zotin Rosenstein dhe zotin Mueller.

Presidenti Donald Trump pranoi për herë të parë se po hetohet në kuadrin e një hetimi federal për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane. Nëpërmjet një sërë mesazhesh dje në Twitter, Presidenti Trump sulmoi ashpër zyrtarin më të lartë amerikan që mbikqyr këtë proces, Zv/Prokurorin e Përgjithshëm, Rod Rosenstein.

“Po hetohem për shkarkimin e drejtorit të FBI-së nga i njëjti person që më kërkoi ta shkarkoja drejtorin”, u shpreh Presidenti në Twitter.

Pas tërheqjes nga hetimet të Prokurorit të Përgjithshëm, Jeff Sessions, përgjegjësia për mbikqyrjen e hetimeve i ka mbetur Zv/Prokurorit të Përgjithshëm Rosenstein, i cili edhe emëroi prokurorin e posaçëm Robert Mueller. Tashmë edhe pozitat e zotit Rosenstein po bëhen gjithnjë e më të komplikuara, ndërsa hetimet mendohet se po përfshijnë edhe procesin e ndjekur për shkarkimin e ish-drejtorit të FBI-së, James Comey.

Krahas zemërimit të shprehur ndaj zotit Rosenstein dhe zotit Mueller, pjesëtarë të stafit të Shtëpisë së Bardhë, vazhdojnë të flasin edhe për një irritim të dukshëm të Presidentit lidhur me hetimet. Ai këmbëngul se është në shenjestër të një komploti për ta diskredituar dhe madje edhe për ta ndërprerë presidencën e tij.

Demokratët janë shprehur se janë gjithnjë e më të shqetësuar se Presidenti mund të shkarkojë edhe Zv/Prokurorin e Përgjithshëm Rosenstein dhe prokurorin e posaçëm Mueller.

Megjithë këshillat e stafit të tij që Presidenti të rrijë larg mesazheve në Twitter, mesazhet e tij të djeshme dëshmojnë për sfidën gjithnjë e më të madhe për trajtimin e hetimit që po zhvillohet.

Edhe vetë Zv/Prokurori i Përgjithshëm Rosenstein pati qarkulluar një mesazh ku shprehej i shqetësuar për saktësinë e raportimeve në media Në mesazh ai gjithashtu rikonfirmon politikën e Departamentit të Drejtësisë për të mos konfirmuar apo mohuar të tilla informacione.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG