Lidhje

Trump: "Pres me kënaqësi" të intervistohem nga Prokurori i Posaçëm


Presidenti Donald Trump tha të mërkurën në mbrëmje se "pret me kënaqësi" të intervistohet në kuadër të hetimeve lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane dhe lidhur me mundësinë që ai të ketë penguar drejtësinë për shkak të shkarkimit të drejtorit të FBI-së.

Presidenti Trump tha se ai është i gatshëm t'u përgjigjet pyetjeve, nën betim, gjatë intervistës që ka kërkuar të zhvillojë me të Prokurori i Posaçëm Robert Muller.

"Pres me kënaqësi, në të vërtetë", u përgjigj presidenti, i pyetur nga gazetarët e Shtëpisë së Bardhë. Përsa i përket kohës se kur, "besoj se ata po flasin brenda dy, tri javëve të ardhshme, por do ta bëja me shumë dëshirë", tha ai.

Presidenti theksoi, ashtu siç ka pohuar më parë, se "nuk ka patur asnjë bashkëpunim" me rusët dhe absolutisht "asnjë pengim të drejtësisë".

Pistat e plota të hetimeve të zotit Mueller, të cilat përfshijnë qindra mijëra dokumente dhe dhjetra intervista me dëshmitarë, nuk janë të njohura.

Por tani që ekipi i Prokurorit të Posaçëm pothuajse i ka përfunduar intervistat me zyrtarë aktualë dhe ish zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë dhe pasi ka shprehur interes për të intervistuar vetë presidentin, duket se fokusi i hetimeve duket të jenë zhvillimet në Shtëpinë e Bardhë pas inaugurimit të presidentit. Kjo përfshin shkarkimin e drejtorit të FBI-së James Comey dhe diskutimet që i paraprinë shkarkimit të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn.

Koha dhe logjistika e intervistës me presidentin nuk janë vendosur ende. Por kur të ndodhë, presidentit do t'i duhet të shpjegojë se si veprimet e tij nuk përbëjnë pengim të drejtësisë.

Prokurori Mueller po heton në se presidenti pengoi drejtësinë, kur, ashtu siç pretendon ish drejtori i FBI-së Comey, presidenti i kërkoi atij në fillim të vitit 2017 të ndërpriste hetimet për kontaktet e zotit Flynn me ish ambasadorin e Rusisë në Uashington, në javët para se zoti Trump të merrte detyrën. Disa muaj më pas, presidenti e pushoi Comey-n nga puna, që në atë kohë drejtonte hetimet për Rusinë.

FILE - President Donald Trump (2-R) shakes hands with then-FBI Director James Comey (R) in the Blue Room of the White House in Washington, Jan. 22, 2017, as Vice President Mike Pence (L) and Secret Service Director Joseph Clancy look on. Trump fired Comey in May of that year.
FILE - President Donald Trump (2-R) shakes hands with then-FBI Director James Comey (R) in the Blue Room of the White House in Washington, Jan. 22, 2017, as Vice President Mike Pence (L) and Secret Service Director Joseph Clancy look on. Trump fired Comey in May of that year.

Presidenti Trump e ka mohur t'i ketë kërkuar Comey-t të pushojë hetimet, duke i quajtur pohimet e tij "gënjeshtra".

Në bazë të ligjit është krim të pengosh drejtësinë, ose të pengosh "procedurat zyrtare".

Ekspertët ligjorë thonë se ndërsa prokurorët federalë nuk mund të ngrejnë akuzë ndaj një presidenti në detyrë për pengim të drejtësisë, ose ndonjë vepër tjetër penale, Kongresi mund të vendosë ta gjykojë presidentin (Dhoma e Përfaqësuesve ngre akuzat) dhe të fillojë procedurat (gjykimi zhvillohet në Senat) për shkarkimin e tij.

Në vitin 1998, Kongresi akuzoi dhe hapi gjyqin ndaj ish presidentit Bill Klinton, ndër të tjera, për pengim të drejtësisë. E njëjta gjë ndodhi me ish presidentin Nixon në vitin 1974, ku një ndër akuzat e ngritura nga Kongresi ishte pengimi i drejtësisë. Presidenti Klinton u shpall i pafajshëm në gjyqin e zhvilluar në Senat, ndërsa presidenti Nixon dha dorëheqjen, mes skandalit të korrupsionit në të cilin ishte përfshirë.

XS
SM
MD
LG