Lidhje

Trump: Hetimi i Robert Muellerit po humbet shpejt besueshmërinë


Presidenti amerikan Donald Trump tha të hënën se hetimi për lidhjet e fushatës së tij të vitit 2016 me Rusinë, është "duke e humbur me shpejtësi besueshmërinë”.

Në katër komente që bëri në Twitter, Trump e nënvleftësoi hetimin një-vjeçar të Prokurorit të Posaçëm lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet amerikane dhe në se ai është përpjekur të pengojë drejtësinë, në përpjekjet për të ndaluar hetimin vitin e kaluar, kur pushoi nga puna Drejtorin e FBI-së James Comey, i cili drejtonte hetimin para se në vendin e tij të caktohej Mueller.

"A ka për të vazhduar edhe më gjatë kjo Gjueti Shtrigash e rreme, që të ketë ndikim për keq te zgjedhjet e mesit të mandatit, gjë që kanë synuar kurdoherë demokratët? Republikanë, tregohuni të fortë dhe të zgjuar para se të jetë tepër vonë!”

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/993484478633922560

Në një tjetër tweet, Presidenti shkruante: “Çfarrë rrëmuje. Vendi ynë duhet t’i kthehet prapë punës”.

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/993483042177118208

Zoti Trump shkruan në Twitter se “Komisioni i Zbulimit i Dhomës së Përfaqësuesve nën kontrollin e republikanëve gjeti se nuk ka patur bashkëpunim, koordinim, apo diçka tjetër me Rusinë. Kështuqë grupi hetimor thotë: çfarë ka mbetur tjetër? Të themi se ka patur pengim të drejtësisë për një krim të trilluar, të rremë….”

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/993452275648679938

Trump shkruante në Twitter se “13 demokratë të zemëruar kanë marrë përsipër Gjuetinë ruse të Shtrigave” në ekipin e juristëve të Muellerit.” Ai shkruante se juristët e zotit Mueller "po fillojnë të zbulojnë se ekziston një sistem gjyqësor që i mbron njerëzit nga padrejtësitë…dhe vetëm prisni që dalë në pah konflikti juaj të interesit ende i pazbuluar!”

https://twitter.com/realDonaldTrump/status/993455375755173892

Trump aludoi për një seancë dëshmish që u bë të premten e kaluar kundër Paul Manafortit, i cili për disa muaj ishte menaxheri i fushatës së tij para zgjedhjeve. Manafort është akuzuar për mashtrime bankare dhe evazion fiskal lidhur me përpjekjet e tij lobiste në Ukraine që datojnë nga periudha e fushatës presidenciale e zotit Trump, por Gjykatësi T.S. Ellis III i Virginias ngriti pikëpyetjen në se Mueller kishte autoritetin për të ngritur çështjen e Manafortit.

Trump është ankuar disa herë për lidhje mes demokratëve dhe grupit të juristëve të zotit Mueller, megjithëse rregullat e Departamentit të Drejtësisë ndalojnë marrjen në konsideratë të përkatësive politike në emërimin e prokurorëve. Në ekipin e juristëve të zotit Mueller janë përfshirë një numër avokatësh me eksperiencë në raste korrupsioni të zyrtarëve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG