Lidhje

Presidenti Trump rithekson përkushtimin e SHBA ndaj NATO-s


Në një takim dje në Shtëpinë e Bardhë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, Presidenti Donald Trump ritheksoi përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Aleancës perëndimore, që ai dikur e kishte quajtur “të vjetëruar”. Zoti Stoltenberg e cilësoi NATO-n “një bazë të fuqishme sigurie” në botën e sotme të paqëndrueshme:

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me zotin Stoltenberg, Presidenti Trump vlerësoi historinë 68-vjeçare të aleancës ushtarake:

"Aleanca e NATO-s ka qenë mburojë e paqes dhe e sigurisë ndërkombëtare.”

Trump u zotua se do të bashkëpunojë me vendet e NATO-s për zgjidhjen e kërcënimeve globale ndaj sigurisë, përfshirë trazirat në Ukrainën lindore dhe siç u shpreh ai, “fatkeqësinë që po ndodh tani në Siri.”

"Kjo përfshin modernizimin e NATO-s për t’u fokusuar tek gjendja e sotme, e ngutshme e sigurisë dhe të gjitha sfidat e saj, përfshirë imigracionin dhe terrorizmin.”

Si edhe më parë, Presidenti Trump i bëri thirrje anëtarëve të NATO-s që të plotësojnë detyrimet financiare: të japin kontributin prej 2 për qind të prodhimit të përgjithshëm për frymë për mbrojtjen:

"Nëse vendet e tjera japin pjesën që u takon, në vend që të shpresojnë që Shtetet e Bashkuara të pagojnë për ta, ne të gjithë do të jemi shumë më të sigurtë dhe partneriteti ynë do të jetë shumë më i fuqishëm”, – tha Presidenti.

Zoti Stoltenberg tha se që kur ai erdhi në krye të NATO-s në vitin 2014, ndarja e përgjegjësive mes vendeve anëtare ka qenë përparësi për të dhe se në këtë aspekt janë bërë përmirësime:

"Në vitin 2016, për herë të parë në shumë vite, ne patëm një shtim të shpenzimeve për mbrojtjen në mbarë vendet aleate evropiane dhe në Kanada – një rritje reale prej 3.8 për qind, ose 10 miliardë më tepër.”

Zoti Stoltenberg tha se plotësimi i detyrimeve të anëtarësisë është veçanërisht i rëndësishëm tani që situata në botë është bërë më e rrezikshme. Ai tha se kishin qenë të një mendimi me zotin Trump, se Aleanca duhet t’i dyfishojë përpjekjet në luftën kundër terrorizmit.

Presidenti Trump dhe kryetarë të tjerë shtetesh të NATO-s do të takohen muajin e ardhshëm në Bruksel.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG