Lidhje

Presidenti Trump, sot në Las Vegas


Presidenti amerikan, Donald Trump, shkon sot në Las Vegas, ndërkohë që hetuesit e atjeshëm vazhdojnë përpjekjet për të kuptuar motivin se përse një person i armatosur hapi zjarr mbi turmën që po ndiqte një festival muzikor.

Stephen Paddock shtiu nga kati i 32 i një hoteli, duke vrarë të paktën 58 vetë dhe pastaj veten.

Autoritetet shpresojnë se e dashura e personit në fjalë do të mund të ndihmojë në hetimin e tyre. Marilou Danley ishte në Filipine në kohën e sulmit dhe u kthye në Shtetet e Bashkuara të martën vonë.

Ajo u prit në Aeroportin Ndërkombëtar të Los Anxhelosit nga agjentët e FBI-së. Sheriffi i zonës së Las Vegasit, Joseph Lombardo, tha se Marilou Danley duket se është person me interes për hetimet.

Sheriffi nuk komentoi mbi njoftimet se Paddock kishte dërguar në mënyrë elektronike në Filipine rreth 100 mijë dollarë pak para masakrës, por është e paqartë se për kë ishin dërguar paratë.

Hetuesit nuk kanë arritur të kuptojnë se përse Paddock, person në gjendje të mirë financiare dhe pa të dhëna kriminale apo lidhje politike ose fetare, qëlloi mbi turmën duke shkaktuar masakrën.

Sherifi dha disa hollësi rreth asaj që hetuesit kanë mundur të gjejnë deri tani.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG