Lidhje

Trump, Mattis mesazhe të ndryshme për krizën me Phenianin


Sekretari i Mbrojtjes Jim Mattis theksoi të mërkurën se Shteteve të Bashkuara "nuk u mungojnë kurrë zgjidhjet diplomatike", kur vjen puna për të trajtuar krizën me Korenë e Veriut. Një koment që vjen pasi Presidenti Donald Trump tha se "bisedimet nuk ishin përgjigjja", ndaj kësaj çështjeje.

Deklarata e zotit Mattis erdhi si përgjigje ndaj një pyetjeje rreth komentit në twitter të bërë të mërkurën nga presidenti Trump, lidhur me trajtimin që Shtetet e Bashkuara duhet t’i bëjnë kërcënimit që vjen nga Koreja e Veriut pas provës më të fundit të raketë balistike të këtij vendi që kaloi mbi Japoni.

Të mërkurën sekretari amerikan mbrojtjes Jim Mattis u takua në Pentagon, me homologun e tij koreano-jugor Song Young-moo. Takimi zhvillohet ndërsa dy vendet përpiqen të gjejnë mënyrat se si t’i trajtojnë provokimet e fundit të Koresë së Veriut.

"Vëmë re me besim se keni premtuar të rrisni shpenzimet e mbrojtjes nën presidentin e ri koreano-jugor. Ne duhet të vazhdojmë të thellojmë marrëdhënien tonë ushtarake, duke ngritur edhe me shumë nivelin e lartë të besimit që ekziston mes dy kombeve tona. Siç kemi parë, kërcënimi për sigurinë në veri-perëndim të Paqësorit është bërë më i ashpër ndaj dhe marrëdhëniet e kombeve tona në fushën e mbrojtjes bëhen më të rëndësishme se kurrë si dhe mbeten themeli i përpjekjeve ndërkombëtare për të zbutur veprimet agresive të Koresë së Veriut ", tha sekretari amerikan i Mbrotjes.

Presidenti amerikan Donald Trump tha sot përmes një postimi në Twitter se "bisedimet nuk janë përgjigjja" kur është fjala për kërcënimin e Koresë së Veriut, pas provës së saj më të fundit me raketë balistike. Koreja e Veriut tha sot se rakete balistike që kalaoi mbi Japoni ishte një kundërpërgjigje ndaj stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara.

Agjencia Qëndore Koreane e Lajmeve (KCNA), citoi udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un të ketë thënë se prova me raketë ishte "e ngjashme me një luftë të vërtetë" dhe hapi i parë i ushtrisë së Koresë së Veriut për operacionet e saj në Paqësor dhe "për të përmbajtur Guamin".

Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe dhe Presidenti i Koresë së Jugut, Mun Jae-in ranë dakord gjatë një telefonate mes tyre sot se duhet të ushtrohet presion maksimal mbi Korenë e Veriut në mënyrë që ajo të angazhohet në bisedime për zgjidhjen e krizës.

15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mund të kenë ndërmarrë hapin e parë në këtë drejtim, duke lëshuar mbrëmë gjatë një seance të jashtëzakonshme një deklaratë që dënon hedhjen e raketës mbi Japoninë.

"Unë mendoj se ishte një deklaratë shumë e fortë dhe e mirë. Deklarata u miratua njëzëri dhe unë mendoj se ajo i dërgon një mesazh shumë të mirë Koresë së Veriut. Siç e thashë edhe gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së unë shpresoj se Koreja e Veriut do të dëgjoj mesazhin e OKB-së dhe do ta respektojë atë. Ne do të flasim për hapat e ardhshëm duke filluar tani. Nuk mund ta parashikojmë rezultatin por sigurisht shpresoj që do të kemi një rezolutë të fortë pas kësaj deklarate".

Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, u bëri thirrje vendeve të tjera të bashkohen në dënimin e Koresë së Veriut:

"Ne po i bëjmë thirrje çdo vendi që të zbatojë në mënyrë rigoroze, plotësisht dhe menjëherë të gjitha sanksionet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndaj Koresë së Veriut. Bota është e bashkuar kundër Koresë së Veriut, nuk ka dyshim për këtë. Ka ardhur koha që regjimi i Koresë së Veriut ta kuptoj rrezikun që po i sjell vetes. Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë vazhdimin e veprimeve të tyre të paligjshme dhe pjesa tjetër e botës është me ne".

Presidenti Trump shkroi sot në Twitter se "Shtetet e Bashkuara për 25 vjet kanë biseduar me Korenë e Veriut dhe e kanë toleruar këtë vend. Bisedimet nuk janë përgjigja!" Ndërsa, në një deklarate të lëshuar të martën në lidhje me provën e fundit të Phenianit me raketë, Presidenti Trump tha se "të gjitha opsionet janë të hapura".

Por, ndërsa Kina u bashkua me dënimin e provës me raketë të Koresë së Veriut, i dërguari i saj u kërkoi vendeve anëtare të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin veprimet provokuese që mund të përkeqësojnë situatën rajonale dhe të punojnë së bashku për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në gadishullin Korean.

Përfaqësuesit kinezë dhe rusë theksuan gjatë seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së se nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë çështje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG