Lidhje

Presidenti Trump dhe strategjia ndaj Koresë së Veriut


Qasja e "teorisë së njeriut të çmendur" që duket se Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka zgjedhur për të trajtuar kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut është duke u përshëndetur nga përkrahësit e tij, të cilët thonë se ajo është me rrezikshmëri të lartë, por një strategji e efektshme negociuese. Ndërkohë, kritikët thonë se ajo tregon për një ekip të paorganizuar të politikës së jashtme.

E ashtuquajtura teori e “njeriut të çmendur” iu atribua politikes së jashtme të presidentit amerikan Richard Nixon. Për të negociuar fundin e Luftës së Vietnamit me kushte të favorshme, Nixon u përpoq ta portretizonte veten si një udhëheqës të çmendur dhe të paqëndrueshëm. Ai madje e ngriti nivelin e gatishmërisë së Komandës Ajrore Strategjike në vitin 1969 për t’u paraqitur sikur po përgatitej për një sulm bërthamor, në një përpjekje për të ushtruar presion mbi Bashkimin Sovjetik, në mënyrë që ky vend të ndërhynte për t'i dhënë fund luftës.

Efektshmëria e strategjisë së ish Presidentit Nixon mbetet një pikë e debatueshme, pasi marrëveshja e armëpushimit nuk u arrit deri në vitin 1973 dhe forcat komuniste përfundimisht morën nën kontroll të gjithë Vietnamin më 1975.

Mesazhet e paramenduara në Twitter

Presidenti Trump, thonë disa analistë, po përdor qasjen e "njeriut të çmendur" për të parandaluar Korenë e Veriut që të prodhojë një raketë balistike ndërkontinentale bërthamore, që mund të godasë Shtetet e Bashkuara.

Mesazhet e fundit të Presidentit Trump në Twitter, ku ai thotë se dialogu me Korenë e Veriut është një "humbje kohe", në të cilat duket se qorton Sekretarin e tij të Shtetit, Rex Tillerson për komentet se bisedimet me Phenianin po ndodhnin, mund të jenë pjesë e një përpjekjeje të paramenduar për të vënë kundërshtarët e Amerikës në pozicion mbrojës.

"Mesazhet e zotit Trump në Twitter, gjërat që ai thotë, krijojnë një mungesë paparashikimi për qasjen amerikane, me sa duket tek koreanoveriorët, tek kinezët dhe rusët," thotë analisti i sigurisë, Grant Newsham nga Forumi për Studime Strategjike në Tokio.

Retorika konfrontuese e Presidentit Trump mbi Korenë e Veriut, duke paralajmëruar për një përgjigje ushtarake me “zjarr dhe furi” kundër një sulmi të mundshëm dhe duke e quajtur udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, "një njeri të vogël raketash", është shumë e ndryshme nga politikat e presidentëve të mëparshëm, të cilët u përpoqën të ulnin tensionet përmes diplomacisë tradicionale.

Kritikët thonë se mesazhet agresive të Presidentit në Twitter, të cilat shpesh janë në kundërshtim me anëtarët e ekipit të tij të sigurisë, që e kanë minimizuar mundësinë e konfliktit ushtarak, pasqyrojnë mosmarrëveshjet në rritje rreth politikës ndaj Koresë së Veriut brenda administratës Trump.

"Ka shumë biseda të pakujdesshme dhe mua më duket se mungon një stratgji koherente nga Uashingtoni; Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në një krizë lidershipi", thotë Daniel Pinkston, analist i çështjeve të sigurisë në Azinë Qendrore në Universitetin Troy të Seulit.

“Rrugët pa krye”

Administrata Trump ka dhënë sinjale se ka preferencë për sanksionet ekonomike dhe diplomacinë për të detyruar regjimin e Kim Jung-Un-it të zgjedhë mes çarmatimit bërthamore dhe mbijetesës. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara nuk kanë ofruar kompromise të rëndësishme, ose nuk kanë pranuar të bëjnë lëshime në këmbim të një marrëveshjeje; ato tashmë e kanë hedhur poshtë propozimin e Pekinit që Koreja e Veriut të ngrijë programet e saj bërthamore dhe të raketave, në këmbim të ndalimit të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake të Shteteve të Bashkuara me Korenë e Jugut.

Uashingtoni ka nevojë për bashkëpunim ndërkombëtar për të vendosur sanksione të ashpra ndaj Phenianit, veçanërisht nga Kina, e cila zhvillon 90 për qind të të gjithë tregtisë me vendin e izoluar.

Por David Straub, analist i Koresë së Veriut në Institutin Sejong, thotë se theksi i përsëritur i Presidentit për veprime të mundshme ushtarake mund të dështojë, nëse Kina dhe Rusia arrijnë në përfundimin se "Shtetet e Bashkuara gënjejnë kur thonë se politika e tyre është të kërkojë një zgjidhje të negociuar". Pekini dhe Moska, thotë ai, mund të përgjigjen duke lehtësuar sanksionet dhe duke rritur mbështetjen për aleatin e tyre në Phenian.

Koreja e Veriut gjithashtu ka një histori të gjatë të shkeljes së marrëveshjeve për ngrirjen e programeve bërthamore; ajo ka zhvilluar një program të fshehtë të armëve bërthamore, në kundërshtim me një marrëveshje të vitit 1994, duke refuzuar që të pajtohet me një marrëveshje të vitit 2007 për lejimin e inspektorëve ndërkombëtarë në zonat e dyshuara bërthamore dhe duke kryer një provë bërthamore në vitin 2009, pak pasi Shtetet e Bashkura e hoqën Korenë e Veriut nga lista e shteteve që sponsorizojnë terrorizmin.

Analisti Straub thotë se nuk ka gjasa që Pheniani të heqë dorë nga përpjekja për të prodhuar bërthamore nën kërcënimin e forcës, ose vetëm për shkak të presionit ekonomik.

"Unë jam shumë skeptik në lidhje me mundësinë për negociata sepse besoj se objektivi i vërtetë i Koresë së Veriut është që të përdorë aftësitë bërthamore për t’i larguar Shtetet e Bashkuara nga Gadishulli Korean" thotë analisti Staub, i cili gjithashtu ka marrë pjesë në bisedimet për çarmatosjen bërthamore të Koresë së Veriut në cilësinë e diplomatit amerikan gjatë administratës së Presidentit George W. Bush.

Rreziku i lartë

Nëse Koreja e Veriut nuk dorëzohet nga presioni, e ashtuquajtura qasje e “njeriut të çmendur” mund t’i detyrojnë Shtetet e Bashkaura të përdorin forcën ushtarake për ta ndalur Phenianin të prodhojë armë bërthamore, të cilat mund të vendosen tek një raketë ndërkontinentale. Llogaritë e gabuara, ose ngjarjet e paparashikuara gjithashtu mund të shkaktojnë një konflikt ushtarak mes të dy vendeve.

"Ne jemi duke shkuar në këtë drejtim gjithsesi. Dhe ky rrezik po vjen dhe mund të shmanget, vetëm nëse në një farë mënyre mund të ndërpritet kjo prirje e Koresë së Veriut," thotë analisti Newsham.

Koreja e Jugut ka deklaruar se do të kundërshtonte çdo veprim ushtarak të Shteteve të Bashkuara në rajon, sepse miliona qyetetarë të saj jetojnë brenda zonave që mund të goditen nga artileria e Koresë së Veriut, e pozicionuar përgjatë kufirit mes dy vendeve.

Alternativat paqësore, shpesh të mbështetura nga zyrtarët dhe analistët, janë vazhdimi i presionit mbi Phenianin, përmes përmbajtjes ushtarake dhe të sanksioneve ose duke e transformuar shoqërinë koreane nga brenda përmes ndihmave, angazhimit ekonomik dhe fitjes së informacionit nga jashtë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG