Lidhje

Trump, thirrje për të reformuar ligjin Obamacare


Presidenti amerikan Donald Trump i bëri një tjetër thirrje Kongresit të kontrolluar nga republikanët për të reformuar ligjin e tanishëm të kujdesit shëndetësor, të njohur si Obamacare, përpara se ligjvënësit të nisen për pushimet e gushtit.

Megjithatë ligjvënësit nuk po bien dot dakord se si ta shfuqizojnë dhe ta zëvendësojnë këtë ligj.

Zoti Trump tha se para se të bëhej president ai dëgjonte thirrjet e republikanëve që kërkonin shfuqizimin e ligjit Obama. "Tani ata më në fund kanë shansin e tyre," komentoi presidenti në Twitter.

Por midis ligjvënësve republikanë ka pikëpamje të ndryshme në lidhje me hollësitë e një pakete që do të zëvendësonte ligjin e tanishëm. Kjo ka hedhur dyshime mbi përpjekjet e republikanëve për shfuqizimin e ligjit, ndërkohë që sondazhet në shkallë vendi tregojnë pak mbështetje për propozimet e tyre.

Grupi drejtues i shumicës republikane në Senat do të mblidhet të martën në përpjekje për të arritur një konsensus. Disa senatorë duan të eliminojnë sa më shumë të jetë e mundur nga ligji i ish-presidentit Obama, ndërsa të tjerë po kërkojnë të ruajnë pjesët më popullore të ligjit, duke përfshirë fondet e sigurimeve shëndetësore për amerikanët më të varfër.

Republikanët kanë bërë fushatë prej shtatë vjetësh për të shfuqizuar ligjin e vitit 2010, të miratuar pa asnjë votë të vetme republikane.

Por edhe pse kontrollojnë Shtëpinë e Bardhë dhe të dyja dhomat e Kongresit, deri tani ata nuk kanë qenë në gjendje të bien dakord se si mund ta ndryshojnë ligjin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG