Lidhje

Donald Trump në Ohajo, premton të rikthejë unitetin në vend


Presidenti i zgjedhur Donald Trump u shkëput për pak nga puna e tranzicionit dhe u takua me përkrahës dje në Sinsinati të Ohajos. Mijëra vetë ishin mbledhur në tubim për ta pritur zotin Trump. Vizita në Ohajo ishte e para në një seri aktivitetesh që ka planifikuar presidenti i zgjedhur Trump në qytete të ndryshme amerikane për të falenderuar për mbështetjen e tyre. Por në takimin e djeshëm zoti Trump pohoi se amerikanët janë ende të përçarë lidhur me rezultatin e zgjedhjeve dhe çfarë mund të sinjalizojë ky rezultat:

Megjithëse i fitoi zgjedhjet dhe fushata ka përfunduar, presidenti i zgjedhur Donald Trump doli përsëri para përkrahësve për t’i siguruar se do t’i mbajë premtimet që u ka bërë:

“Ne do të luftojmë abuzimet tregtare që dëmtojnë shanset e kompanive tuaja për të konkurruar. Atyre ditëve u ka ardhur fundi”.

Tubimi u zhvillua pak pasi kompania Carrier njoftoi se nuk do të transferojë rreth 1 mijë vende pune në Meksikë, pasi zoti Trump u takua me drejtues të saj. Veprimi i tij vlerësohet nga votuesja Heidi Morris:

“Ai ka aftësitë që i ka dhënë eksperienca në biznes: mund të ulet me një grup biznesmenësh e të arrijë marrëveshje. Ai di çfarë të bëjë e si ta arrijë marrëveshjen”.

Por kishte edhe kritikë të zotit Trump të mbledhur përjashta, të cilët përfaqësojnë gjysmën e popullsisë që nuk e mbështet presidentin e zgjedhur. Shumë prej tyre i presin me frikë zhvillimet që do të vijnë pas inaugurimit të tij.

Zoti Trump foli për përçarjen e thellë në opinionin publik:

“Do ta bashkojmë vendin. Do të gjejmë pikat e përbashkëta dhe do të bëjmë atë që duhet”.

Përkrahësja Irene McNulty ka besim tek zoti Trump:

“Ai nuk na ka harruar. Zakonisht sapo zgjidhen presidentët zhduken nga pamja. Por ai ka ardhur të na falenderojë për mbështetjen që i dhamë”.

Por protestuesja Winnie Boal mendon ndryshe:

“Ai e humb përqëndrimin shpejt. Siç duket ka filluar të mërzitet nga puna e tranzicionit dhe ka vendosur të dalë turne për t’u kënaqur me adhurimin e përkrahësve”.

Dhe në radhët e përkrahësve, adhurimi nuk mungonte. Zoti Trump njoftoi në tubim se ka zgjedhur Gjeneralin në pension James Mattis për Sekretar të Mbrojtjes.

Tubimi i djeshëm i ngjante një aktiviteti për fushatë, por për përkrahësit vizita e presidentit të zgjedhur në Ohajo ishte një thirrje për ndihmë dhe mbështetje që ai të përmbushë axhendën ambicioze që i siguroi fitoren në zgjedhje.

XS
SM
MD
LG