Lidhje

Stili i pazakontë i udhëheqjes së zotit Trump dominon gjatë muajit të tij të parë në detyrë


Të hënën presidenti Donald Trump mbush një muaj në detyrë, një fillim ndryshe nga çdo presidencë tjetër në historinë e dekadave të fundit. Zoti Trump ka deklaruar se presidenca e tij ka filluar me sukses në sjelljen e ndryshimeve në Uashington, megjithëse ai ka kritikuar shtypin, duke e përshkruar “të pandershëm” dhe se është “jashtë kontrollit”.

Presidenti Trump bëri një mbrojtje të tepruar të arritjeve gjatë muajit të parë në detyrë, në konferencën e tij të fundit për shtyp, ku ai tregoi anën e tij tashmë të njohur luftarake me gazetarët.

“Unë po i drejtohem direkt popullit amerikan me median të pranishme, dhe është nder t’ju kemi juve, sepse shumë prej gazetarëve të vendit tonë nuk duan t’ju thonë të vërtetën” tha ai.

Ishte një moment i jashtëzakonshëm për një president të ri, i cili kritikoi median se nuk e ka vlerësuar sa ç’duhet për atë që ai e përshkroi si “progres të rëndësishëm” që ka arritur administrata e tij, pavarësisht se, sipas zotit Trump ata trashëguan “një rrëmujë”.

“Kështu që unë e di se kur e thoni të vërtetën dhe kur jo. Unë shoh shumë, shumë gjëra të rreme. Dhe t’ju them se çfarë tjetër shoh. Shoh një ton urrejtjeje. Unë në të vërtetë nuk jam njeri i keq, meqë ra fjala” tha ai.

Presidenti amerikan Trump mbetet i matur mbi marrëdhëniet me Rusinë për shkak të dhënies së dorëheqjes të këshilltarit për sigurinë kombëtare Michael Flynn.

Demokratët e Kongresit po kërkojnë një hetim të gjerë rreth çdo kontakti midis fushatës Trump dhe Rusisë.

Ligjvënësi demokrat Elijah Cummings bëri një pyetje duke rikujtuar skandalin Watergate i cili rrëzoi nga detyra presidentin Richard Nixon në vitin 1974.

“Çfarë dinte presidenti dhe kur e mori vesh? Unë besoj se ne duhet të mbajmë një seancë publike me gjeneralin Flynn për të marrë vesh të vërtetën” tha ligjvënësi.

Përballja armiqësore mes zotit Trump dhe shtypit nxiti shqetësime të reja mes kritikëve.

Shumë prej ligjvënësve mbështetës më të hershëm të presidentit thonë se njerëzit që ata përfaqësojnë vazhdojnë të mbështesin zotin Trump, duke përfshirë edhe ligjvënësin Chris Collins të Nju Jorkut.

“Mbështetësit e tij e dinë se ai po mban premtimet; pra unë e di se ne jemi mirë kështu, dhe se shkalla e mbështetjes së presidentit është e lartë” tha zoti Collins.

Si mbështetësit edhe kritikët e tij vazhdojnë të përpiqen të kuptojnë zotin Trump, thotë strategu republikan John Feehery.

“Nuk është e qartë nëse ai do të qetësohet, ose nëse ky është realiteti i ri të cilit duhet t’i përshtatemi. Është e qartë se ai nuk është një politikan tipik. Se nuk është një president tipik. Edhe votuesit duket se duan dikë që nuk është një president tipik. Ata donin të ndryshonin gjendjen aktuale dhe zgjodhën atë që deshën”.

Edhe pse tani ai është president, Trump shpesh duket i kënaqur që të veprojë ashtu si gjatë fushatës, thotë analisti për median Steven Roberts.

“E vështira është se ekziston një dallim i madh mes të qenurit kandidat dhe president, dhe të përpiqesh të veprosh si në fushatë, me qëndrimet dhe sulmet verbale e zakonshme, kur je president është shumë, shumë ndryshe”.

Vetëm në një muaj, stili luftarak i zotit Trump mbetet i pandryshuar, një president i ri i cili duket se pret që Uashingtoni t'i përshtatet atij dhe stilit të tij të udhëheqjes, dhe jo anasjelltas.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG